Platforma e bashkëqeverisjes, zgjidhje problemeve të qytetarëve

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155760719756523/

TIRANË, 26 prill /ATSH/ – Janë të shumtë qytetarët që i drejtohen platformës së bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al për të kërkuar të drejtën e tyre, për shumë probleme për të cilat nuk kanë marrë ende zgjidhje në zyrat e shtetit.

Përmes rrjetit social “Facebook”, Kryeministri Edi Rama ofroi shembullin e një qytetari nga Durrësi, i cili falë ankesës në këtë portal, arriti të marrë në dorë certifikatën e pronësisë brenda 2 javësh.

Kryeministri Rama i bëri thirrje kujtdo që kërkon një shërbim që po vonon, që të shkruajë menjëherë në shqipëriaqëduam.al.

“Mirëmëngjes dhe me këtë rubrikë të re, që përmes shembujve konkretë mes qindra të tillëve çdo muaj, ju inkurajon të mos pranoni asnjë sorrollatje në zyrat e shtetit; të mos kërkoni as miq e as rrugë për të dhënë rryshfet, po të merrni vetëm 3 minuta kohë në adresën shqiperiaqeduam.al, për të ngritur në këmbë ministrin përkatës në mbështetje të së drejtës suaj, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Një qytetar nga Durrësi i është drejtuar platformës së bashkëqeverisjes për të kërkuar të drejtën dhe zgjidhjen e hallit me ZRPPV-në e Durrësit, që e sorollaste për 1 vit e 6 muaj pa përgjigje.

Falë platformës, brenda dy javësh ai u pajis me certifikatën e pronësisë. Punonjësit përgjegjës për vonesën u larguan nga puna dhe do të ndiqen penalisht. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.