MEKSIKË – Karvane migrantësh trokasin në portat e SHBA-së

TIJUANA, 26 prill /ATSH-AFP/ – Një muaj më parë, në jug të Meksikës, Olga Caballero dhe katër fëmijët e saj iu bashkuan karvanit të migrantëve që shkaktuan zemërimin e Donald Trump.

Tashmë, mbërritur në kufirin amerikano-meksikan, kjo shtetase nga Hondurasi trokiti në portën e Amerikës, sipas saj, dhe kërkoi dhembshuri nga presidenti amerikan, gjithashtu dhe ai baba.

Olga Caballero dhe fëmijët e saj, të moshës nga dy vjeç deri në 16 vjeç, kanë kaluar natën e parë në Tijuana (veriperëndim), në kufirin me San Diegon, ku ajo mbërriti të martën mes një grupi me rreth 120 migrantë, 50 prej të cilëve minorenë.

Që prej fillimit të karvanit “Viacrucis Migrante”, më 25 mars, këta migrantë kanë kaluar Meksikën në këmbë, me tren dhe automjete.

“Frika ime më e madhe ishte të më zinte gjumi dhe një prej fëmijëve të mi të binte nga treni”, tregon 35-vjeçarja.

Iniciativa e këtij karvani filloi në vitin 2010 për të sensibilizuar opinionin për kalimin dramatik të Meksikës nga emigrantët e Amerikës Qendrore.

Irineo Mujica, zyrtar i OJQ-së “Populli pa kufij” dhe organizator i këtij karvani, theksoi se kanë mbetur 600 migrantë nga karvani fillestar.

”Gjysma kanë filluar një proces migrator për të qendruar në Meksikë dhe 300 të tjerë do të kërkojnë azil në SHBA”, shtoi ai./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.