ATHINË – Cipras: Për herë të parë Greqia po kërkon zgjidhjen e emrit në mënyrë kaq të vendosur

ATHINË, 26 prill /ATSH-MIA/ – Për herë të parë në mënyrë kaq të vendosur Greqia po përpiqet të gjejë zgjidhje të pranueshme për të dy palët për çështjen e emrit të Maqedonisë, me garancinë se do të ketë zgjidhje përfundimtare, deklaroi sot kryeministri grek Aleksis Cipras, pas takimit me kryetarin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

Në një konferencë shtypi Cipras tha se me Junckerin nuk kishin biseduar vetëm për ekonominë, por edhe për ngjarjet rajonale dhe ndërkombëtare dhe për Ballkanin Perëndimor.

Duke folur për rolin e Greqisë në BE dhe rajon, kryeministri grek tha se vendi tregoi vitet e fundit se duhet të luajë rol qendror në tentimin që Bashkimi Evropian në të ardhmen ta sendërtojë rolin e tij ndërkombëtar dhe rajonal si fuqi e paqes, stabilitetit dhe sigurisë.

”Greqia këtë e ka treguar përmes ballafaqimit me problemin e refugjatëve dhe provokimeve nga Turqia në detin Egje, me tentimet për zgjidhjen e çështjes qipriote, me ndërtimin e iniciativave në rajon për perspektivë europiane të Ballkanit Perëndimor, por edhe me përpjekjet për zgjidhjen e kontestit me emrin”, deklaroi Cipras.

“Këtë e tregojmë, duke tentuar për herë të parë, në mënyrë kaq të vendosur të gjejmë zgjidhje të pranueshme për të dy palët, të çështjes me emrin e Maqedonisë me garancinë se kjo çështje do të ketë zgjidhje përfundimtare”, tha kryeministri grek./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.