Zbardhet vendimi i KPK: Gjyqtari Fatos Lulo nuk justifikoi pasurinë

TIRANË, 25 prill /ATSH – I. Vata/ – Gjyqtarit i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo nuk justifikoi pasurinë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot shkarkimin.

Në faqen zyrtare të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit publikohet vendimi i zbardhur lidhur me shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, i përbërë nga 23 faqe dhe tregon se gjyqtari nuk ka arritur të vërtetojë ligjshmërinë e një pasurie prej 48 milionë lekësh.

Nga analiza e bërë për të ardhurat e ligjshme rezulton se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo ka arritur të dokumentojë pasurinë në vlerën 30 milionë lekë, ndërkohë që pasuria e deklaruar nga ana e tij kap vlerën e mbi 78 milionë lekëve. Pra, diferenca prej 48 milionë lekë është e pajustifikueshme.

Shtëpinë në Kanada që e deklaroi në 2004 e bëri nul në 2017. Po kështu në vendim thuhet se deklarata personale shtesë e datës 21.01.2017 dorëzuar nga Fatos Lulo së bashku me deklaratën e pasurisë Vetting 2017 janë deklarime të rreme pasi: Në deklaratën e pasurisë vetting 2017, subjekti vlerësues ka deklaruar se asgjë që është deklaruar në 2014 nuk është e vërtetë dhe se nuk kanë pasur ndonjëherë apo të ketë ekzistuar ndonjëherë.

Në deklaratën e interesave private “para fillimit të detyrës 2004″ subjekti i rivlerësimit ndër të tjera ka deklaruar: Apartament banimi në ndërtim 150 metra katrorë, Toronto Kanada, vlera 14 milionë lekë të blerë nga aktiviteti i tij si avokat.

Dhe depozitë në Toronto në vlerën 400 mijë dollarë kanadezë të ardhura nga puna në emigracion. Po kështu dhe huaja marrë motrës D.L në shumën 480 mijë dollarë për blerjen e një shtëpie në Kanada dhe nisjen e një biznesi privat.

Në deklaratën e pasurisë Vetting 2017 ka deklaruar se asgjë që është deklaruar në 2014 nuk është e vërtetë dhe se nuk kanë pasur ndonjëherë apo të ketë ekzistuar ndonjëherë.

Në vendim thuhet se vetë motra D.L nuk ka pasur të ardhura financiare të ligjshme që kanë shërbyer si burim për blerjen e zyrës 120 mijë euro, dhurimin e 100 mijë dollarëve të vëllait.

Motra nuk ka pasur të ardhura financiare të ligjshme as për huadhënien 480 mijë euro dhe një zyrë prej 74 metra katrorë.

Motra D.L ka dhuruar 100 mijë dollarë vëllait, por nuk është arritur të provohet burimi financiar i dhurueses.

Në deklaratën që ka bërë motra rezulton se 100 mijë dollarët janë bërë dhuratë me kontratën nr 1369, nr 547 datë 21.02.2018. Ndërkohë që në deklaratën e subjektit vlerësues thuhej se ky 100 mijë dollarë është dhuruar me kontratën nr 1369, nr 547 datë 21.08.2018

Gjyqtari deklaroi se kishte shkolluar fëmijët në Kanada e SHBA me 100 mijë dollarët që i kishte dhuruar motra, por nuk arriti dot të ketë asnjë dokument justifikues ligjor për shpenzimet për jetesën, shkollimin dhe akomodimin e fëmijëve në Kanada dhe Amerikë

“Komisioni çmon se këto deklarime të rreme cënojnë rëndë figurën dhe besueshmërinë e gjyqtarit kushtetues si funksion, duke përfaqësuar institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë, i cili shërben si garant i Kushtetutës.” /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.