SEUL, 25 prill /ATSH-AFP/ – Simbolet do të jenë në menunë e banketit që do të mbledhë të premten, pas samitit të tyre historik, presidentin koreano-jugor Moon Jae-in dhe liderin koreano-verior, Kim Jong Un, të cilët do të degustojnë një pjatë tipike të Veriut.
Ora e këtyre festimeve nuk është komunikuar ende, por kjo darkë do të zhvillohet në të njëjtin vend që do të mbahet samiti, në “Shtëpinë e Paqes”, një ndërtesë që ndodhet në pjesën nën kontrollin koreano-jugor të zonës së çmilitarizuar (DMZ) që ndan gadishullin.
Moon ka propozuar që nudëlls të ftohta, një pjatë tipike e Veriut, të jetë në menu dhe Pheniani ka pranuar të vërë në dispozicion një prej kuzhinierëve më të mëdhenj.
“Ai punon në Okryu-gwan, restorant në kryeqytetin koreano-verior”, njoftoi sot “Shtëpia Blu”, presidenca koreano-jugore.
Koreja e Jugut ka recetën e saj të nudëllsave të ftohtë, por ajo e Phenianit është më e njohur.
“Dy drejtuesit do të hanë gjithashtu rostis, një specialitet zviceran me bazë pataten e grirë, përgatitur sipas stilit korean, që do t’i kujtojë Kim Jong Un fëmijërinë në Zicër”, theksoi presidenca.
Do të shërbehen gjithashtu fruta deti, mish dhe oriz nga qytetet e lindjes të Moon dhe paraardhësve të tij Kim Dae-jung dhe Roh Moo-hyun, të cilët kanë marrë pjesë në Phenian në vitin 2000 dhe 2007 në dy samitet e para ndërkoreane.
“Ne kemi përgatitur darkën e pritjes për të bërë homazh për ata që kanë punuar fort për paqen dhe bashkimin e dy popujve tanë”, theksoi presidenca koreano-jugore.
Pas dy vitesh tensione të forta për shkak të programeve bërthamore dhe balistike të Phenianit, gadishulli njeh që prej fillimit të vitit një qetësi spektakolare.
Samiti i të premtes është një ilustrim i ri./ /ec/ a.jor.