Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas, shpallet faza e parakualifikimit të tenderit

TIRANË, 25 prill /ATSH/- Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur sot fazën e parakualifikimit të tenderit për hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas.

Ndërtimi i linjës Tiranë-Durrës-Rinas, është i pari projekt hekurudhor i rëndësishëm që do të ndërtohet në vendin tonë, që hapë një fazë të re të Hekurudhës Shqiptare.

Referuar dokumentit të publikuar në faqen zyrtare, afati për paraqitjen e dokumenteve për fazën e parakualifikimit është 31 maj 2018.

Dokumenti citon se “linja Tiranë-Durrës është ajo me volumin më të lartë të trafikut përsa i përket rrjetit hekurudhor duke mundësua rilidhjen e kryeqytetit të vendit me Durrësin, portin më të madh në vend”.

Kontrata përfshin një seri punimesh të cilat përshkruhen të gjitha të detajuara në shpalljen e bërë publike.

Linja e re hekurudhore që do të lidhë aeroportin me Tiranën nis në kilometrin 27 të linjës Tiranë-Durrës dhe shkon shumë afër aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Ky projekt i rëndësishëm hekurudhor është një bashkëfinancim i BERZH, BEI, dhe qeverisë shqiptare përkatësisht: Kostoja totale e projektit llogaritet në 90.5 milionë euro nga të cilat 36.9 milionë euro janë siguruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe një grant nga Bashkimi Europian me 35.4 milionë lekë. Vlera e TVSH dhe kostot lokale parashikohen që të mbulohen nga qeveria. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.