FOTO/ Kampionati Botëror i shahut në shkolla, 400 pjesëmarrës nga 40 shtete

TIRANE, 25 Prill /ATSH/ -400 shahistë të vegjël dhe të rinj nga 40 vende të botës janë bërë pjesë e Kampionatit botëror të shahut në shkolla, i cili po zhvillohet në një nga komplekset turistike pranë plazhit të Durrësit.

Majlinda Pilinçi, sekretare e përgjithshme e Federatës shqiptare të Shahut, tha se në bashkëpunim me Federatat botërore dhe Europiane, edhe në vendin tonë janë hedhur hapa të rëndësishëme për të përfshirë në shkolla edukimin për shahun.

Në kampionatin botëror që po zhvillohet në Durrës marrin pjesë edhe 88 djem e vajza shahistë nga qytete të ndryshme të vendit tonë.

Shahistët, djem dhe vajza të moshave nga 6-17 vjeç po ndeshen në 6 kategori moshash, në 9 ture radhazi, që do të përfundojnë më 29 prill.

Federata shqiptare e shahut dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit që prej katër vitesh po bashkëpunojnë për krijimin e 6 miniakademive në shkollat e Tiranës e në rrethe, të udhëhequr nga figurat simbol të shahut si Fatos Muça, Erald Dervishi, etj.

Në gusht të këtij viti në vendin tonë do të organizohet edhe Kampionati frankofon i Shahut.

/e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.