Bayern Mynih – Real Madrid, sonte ”finalja e parakohshme” e Champions

TIRANË, 25 Prill/ATSH/ -Bayern Mynih dhe Real Madrid do të përballen sot në ndeshjen e parë gjysëmfinale mes tyre në “Allianz Arena”

Kjo përballje risjell në kujtesë duelin e sezonit të kaluar, ku madrilenët fituan përballë bavarezëve me rezultatin e përgjithshëm 6-3 në çerekfinale, e më pas eliminuan Atleticon dhe festuan trofeun numër 12 të këtij kompeticioni duke mundur në finale Juventusin.

Kjo do të jetë hera e 25-të në historinë e dy klubeve që ndeshen mes tyre, ndërsa në gjysmëfinale janë sfiduar 7 herë. Kampionët e Gjermanisë janë eliminuar nga skuadrat spanjolle në katër edicone radhazi të Champions League-s, teksa përballë Realit janë eliminuar 5 herë në total.

“Los Blancos” në La Liga kanë zhvilluar një sezon zhgënjyes, por në Champions situata është ndryshe. Kampionët në fuqi të dy edicioneve të fundit do të kërkojnë trofeun e tretë radhazi dhe shanset për t’ia arritur janë të mëdha. Kanë një arsye të fortë për të besuar, duke parë formën fantastike të “yllit” të skuadrës spanjolle, Cristiano Ronaldo që ka rregjistruar 120 finalizime në Champions.

Takimi i parë do të zhvillohet në Bavari, aty ku këtë sezon Bayerni regjistron 18 fitore 3 barazime dhe asnjë humbje dhe në 12 ndeshje e ka ruajtur portën të paprekur.

Synimi është një për të dy klubet, finalja e Kievit, fjalën e fundit do ta thotë fusha e blertë, teksa këtë të mërkurë, në orën 20:45, do të luhet akti i parë gjysmëfinal i dy gjigandëve  të futbollit europian.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.