SOFT NEWS – Një 12-vjeçar udhëton me kartën e kreditit të… prindërve!

SIDNEJ, 24 prill /ATSH-AFP/ – Policia australiane po përpiqet të kuptojë sesi një djalosh 12- vjeçar ka mundur të marrë avionin, krejt i vetëm, me destinacion ishullin indonezian të Balit dhe për të kaluar atje katër ditë në hotel me kartën e kreditit të prindërve.

Adoleshenti është larguar nga shtëpia e tij në Sidnej pas një zënke me të ëmën.

Ai ka flutuar fillimisht për në Perth, në shtetin e Australisë Perëndimore, me kompaninë e fluturimit me kosto të ulët ”Jetstar” dhe më pas për në Bali, sipas televizionit ”Chnnel Nine”.

”Ai nuk parapëlqen t’i thuhet ‘jo’ dhe si rezultat, djali imi ndodhet në Indonezi”, u shpreh e ëma Emma për televizionin të hënën në mbrëmje.

”Është e lehtë, është shumë më e lehtë. Ky është një problem me sistemin tonë”, tha ajo duke bërë thirrje për forcimin e kontrolleve për të rinjtë.

Familja kishte qenë më parë me pushime në Bali, një zonë mjaft e rëndësishme e turizmit indonezian. Sipas Emmas, djali i saj ishte përpjekur edhe më parë për të rezervuar fluturime vetëm për veten e tij, por ishte refuzuar nga kompanitë me motivacionin se nuk kishte letër autorizimi të prindërve.

”Për disa javë u jam drejtuar për ndihmë autoriteteve australiane”, vijoi ajo.

Adoleshenti sqaroi se kompania ajrore i kishte thënë se këtë herë nuk kishte nevojë për autorizim për të hipur në avion. Ai kaloi katër ditë në Bali, ku rrëfeu se ishte regjistruar në hotel, kishte marrë me qera një motor dhe pirë birra përpara se një mik të vinte në dijeni të ëmën se kishte parë një video të tij në pishinë ku lokalizohej qartë vendndodhja.

Këto pushime u kanë kushtuar prindërve 8 000 dollarë australianë (5 000 euro), sipas Channel Nine.

Në Australi, fëmijët nën pesë vjeç nuk mund të udhëtojnë të pashoqëruar. Mes moshës 5 dhe 11 vjeç ata pajisen me bileta për të mitur të pashoqëruar, ndërsa midis 12 dhe 15 vjeç, i duhet një autorizim të shoqëruesit ligjor./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.