Rekomandimi i KE, fazë e re në rrugën drejt anëtarësimit në BE

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155757795511523/

 

TIRANË, 24 prill /ATSH/ – Shqipëria e shikon rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave, jo si pikëmbërritje, por si pikënisje të një faze të re dhe më të vështirë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Kryeministri Edi Rama në një deklaratë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, u shpreh se, “presim me padurim të vijojmë në këtë rrugë dhe të kemi mbështetjen e plotë të të gjithë vendeve anëtare për këtë rekomandim”.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për të gjitha sfidat dhe vështirësitë që na presin në këtë proces, siç kemi dhe bindjen e plotë që këto sfida dhe vështirësi janë të kapërcyeshme vetëm përmes këtij procesi bashkëpunimi dhe ndërveprimi mes nesh, Komisionit Europian dhe vendeve anëtare”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se në takim u fol edhe për një nga elementët kyç të procesit dhe një ndër arritjet kryesore të vendit në këtë proces, tek reforma në drejtësi dhe rezultatet e Vetting-ut dhe gjithashtu diskutuam edhe mbi reformat e tjera.

Rama falenderoi përzemërsisht Presidentin Tusk, “sepse i përket asaj shkolle besimi tek Europa dhe përfaqësuesve të denjë të projektit të etërve themelues të BE dhe për këtë, i përket atij rrethi miqsh dhe partnerësh që vazhdimisht e kanë inkurajuar dhe mbështetur procesin e transformimit të Shqipërisë. Për ne ky proces lidhet me të ardhmen e vendit tonë, me gjeneratat e tjera dhe ndërtimin e Shqipërisë Europiane”.

Pra, theksoi Kryeministri Rama, “ky është një proces ku ne jemi të përfshirë, jo se na i kërkojnë të tjerët, por se na i kërkon interesi ynë kombëtar dhe i fëmijëve tanë”.

Kreu i qeverisë theksoi se gjatë takimit me Presidentin Tusk u diskutua edhe për bashkëpunimin dhe ndërveprimin rajonal. “Ky proces transformues i rajonit lidhet me perspektivën e rajonit”, – tha Rama.

Tusk: Në interesin e BE-së integrimi i Shqipërisë dhe i gjithë rajonit

Është në interesin e BE-së që Shqipëria dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë plotësisht i integruar në Bashkimin Europian.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk deklaroi të martën, gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Tiranë, me Kryeministrin Edi Rama, se

Në fillim të fjalës së tij, Tusk e cilësoi veten një mik të përkushtuar të kombit shqiptar, ndaj dhe përgëzoi popullin shqiptarë për marrjen e rekomandimit të KE-së për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Sipas tij, “kjo tregon se Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha dhe po bëhet gati të nisë një prej projekteve më historike të vendit”.

“Kur vendi im nisi bisedime të ngjashme rreth 20 vjet më parë, ne e dinim se shumëçka duhej të ndryshonte në Poloni. Ëndrra ime është që Shqipëria të ndiejë të njëjtin rrugëtim si Polonia në BE. Me historinë tuaj krenare, me Skënderbeun që e mbrojti Europën nga perandoria otomane nuk kam dyshim që ju do ia dilni”, – tha ai.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155757845391523/

Integrimi në Bashkimin Europian, sipas Tusk është një proces që “nuk do të ndodhë brenda natës, por do të ketë shumë sfida”. Ai vlerësoi reformat ambicioze që janë ndërmarrë në Shqipëri, duke theksuar se “ajo që keni bërë është e mjaftueshme për të çelur bisedimet për anëtarësim”.

“Ky është opinioni im dhe nuk jam i vetëm në këtë bindje. Një tjetër sfidë mbetet që të binden të gjitha shtetet anëtare në qershor, për të nisur negociatat. Jam i sigurt se ky proces do t’i ngjajë një gare me pengesa dhe jo një autostrade”, – tha Tusk, ndërsa shprehu bindjen se BE dhe Ballkani Perëndimor e kanë vendin së bashku.

“Sot mund të them se jam optimist kur bëhet fjalë për këtë perspektivë afatgjatë”, – shtoi ai.

Tusk: 78% e eksporteve shqiptare në BE 

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk vuri në dukje faktin se, BE është partneri kryesor tregtar dhe donatori kryesor i Shqipërisë.

Sipas tij, 78% e eksporteve shqiptare shkojnë në BE, për ta krahasuar me vetëm 3% që shkojnë në Kinë, 1% në Turqi dhe 0% në Rusi.

“Vizita ime sot në Tiranë është ndalesa e parë e një turi një javor në Ballkan për t’u përgatitur për Samitin e Sofjes, ku duhet të riafirmojmë perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor dhe duhet të përcaktojmë mënyrat dhe mjetet për të përmirësuar lidhjet brenda rajonit”, – tha Tusk.

Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas tij, “duhet të jenë plotësisht të integruara në korridoret europiane të transportit”.

Tusk kërkoi që të investohet për të shmangur ndërprerjet energjetike. Ai theksoi po ashtu se edhe të rinjtë nga rajoni duhet të kenë më shumë mundësi për të studiuar në BE.

“Ne duhet të rrisim përpjekjet e përbashkëta për shkëmbimet kulturore. Për të nxitur bashkëpunimin nuk kemi nevojë të presim deri në zgjerimin e BE-së. Dua të jem i qartë: ky program konektiviteti nuk është alternativë ndaj zgjerimit apo që zëvendëson zgjerimin, por është mënyra për ta shfrytëzuar kohën mes të sotmes dhe të nesërmes, në mënyrën më efektive”, – shtoi ai.

Samiti i Sofjes, sipas Tusk, “do të jetë rasti për të diskutuar edhe mbi sfidat e përbashkëta të sigurisë”.

Tusk vlerësoi solidaritetin shqiptar me BE-në dhe shtetet anëtare, në sfidat tona gjeopolitike, si ato me sulmin ndaj Skripal.

“Shqipëria është një nga partnerët më besnik të BE-së në këtë kontekst”, – tha Tusk.

Po ashtu ai vlerësoi tolerancën dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri, si cilësi tejet të rëndësishme në botën e sotme. “Këto janë themelet ku mund të vijojmë të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët. Kam ndjesinë se jeni më europianë ju këtu, se sa disa europianë të BE-së”, – nënvizoi Tusk.

/gj.mima/ /m.marini/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.