Dita Ndërkombëtare e Librit, Bushati vrapim sensibilizues në New York

TIRANË, 23 prill /ATSH/ – Një mesazh sensibilizues për të rinjtë që të duan më shumë librin, u përcoll sot nga New York-u, nga Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, i cili në Ditën Ndërkombëtare të Librit vrapoi në Central Park, bashkë me një grup studentësh shqiptarë.

Bushati ndodhet në New York në takimin e nivelit të Lartë mbi paqen e qëndrueshme në Kombet e Bashkuara.

Në New York vrapimi është një formë, e cila përdoret gjerësisht për të sensibilizuar për kauza të caktuara.

Javën e kaluar ambasadorët e Kombeve të Bashkuara organizuan një ngjitje me vrap në godinën e sekretariatit të OKB-së në mbështetje të reformave të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Në nëntor të vitit 2015, ambasada shqiptare dhe ajo e Kosovës në Washington vrapuan në mbështetje të aspiratës së shtetit të Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO. /m.m//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.