Largohen tonelata mbetje urbane në Qarkun e Fierit

 

TIRANË, 21 Prill/ATSH-Maela Marini/.- Rreth 297 ton mbetje urbane janë larguar në Qarkun e Fierit vetëm ditën e parë të nisjes së aksionit “Pastrojmë tokën që duam”, ndërkohë që aksioni vijon me ritme të larta.

Në total në 6 bashkitë e këtij Qarku janë angazhuar 2031 forca dhe 55 mjete për pastrimin e mbetjeve urbane.

Në një prononcim për ATSH-në, Prefekti i Qarkut të Fierit, Baki Bala detajon ndërhyrjet kryesore që janë ndërmarrë në kuadër të këtij aksioni.

Sipas tij, në kuadër të aksionit “Java e Tokës” në Qarkun e Fierit u angazhuan një numër i madh strukurash, duke përfshirë punonjësit e pastrim-gjelbërimit, punonjës të administratave të bashkive përkatëse, pjesmarrës nga Inspektoriati i Mjedisit dhe Pyjeve, Drejtoria Rajonale e Mjedisit si edhe Forcat e Armatosura.

“E vazhdueshme në “Javën e tokës” ka qenë pjesëmarrja e nxënësve të arsimit parauniversitar me aksione pastrimi dhe mbjellje fidanësh. Një kontribut gjatë këtij aksioni ka dhënë edhe pjesëmarrja e Kryqit të Kuq Fier. Pjesmarrje përgjatë gjithë aksionit ka pasur edhe Institucioni i Prefektit Qarku Fier”, tha Bala.

Segmentet dhe pikat më problematike në të cilat është ndërhyrë:
– Në plazhin Darzezë të qytetit Fier.
– Në autostradë, aksi Çermë-Lushnje dhe në grykëderdhjen e Shkumbinit ku kanë qenë prezente edhe Forcat e Armatosura.
– Në bregdetin e Divjakës me pjesëmarrjen edhe të ministrit, Blendi Klosi.
– Në aksin Mbrostar.
– Në Golem dhe në rrugën Çermë-Lushnje
– Në aksin Strum-Roskovec dhe kanali dytësor i Roskovecit.
– U realizua pastrimi i segmentit rrugor “Kthesa e Patosit” deri te “Kthesa e Ballshit”.
– Qafa e Koshovicës, Bashkia Fier
– Aksi rrugor Lushnje-Savër, Bashkia Lushnje
– Aksi rrugor Kuman-Vidhisht, Bashkia Roskovec
– U realizua pastrimi i zonës përreth vendgrumbullimit të mbetjeve në fshatin Mazarenë,  Bashkia Patos

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.