TIRANë, 20 prill /ATSH/- Kryeministri Edi Rama ka garantuar mbështetje për bashkinë e Fierit, lidhur me përfundimin e by pass-it dhe rindërtimi i rrugës Fier-Seman.
“By pass-i i Fierit është një plagë e hapur prej disa vitesh, por edhe një angazhim i marrë prej nesh pas zgjidhjes së një kontrate katastrofike dhe rifillimit të procedurës me një vlerë të konsiderueshme financiare”, tha Rama, pas mbledhjes së qeverisë zhvilluar sot në Fier.
Kryeministri veçoi edhe “projektin e ndërtimit dhe administrimit të impiantit të mbetjeve në Fier, që sipas tij, “i jep zgjidhje përfundimtare problemit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe çel rrugën për prodhimin e energjisë së gjelbër për zonën”.
Rehabilitimi i ish-Azotikut, po ashtu, sipas Ramës do të sjellë ulje të nivelit të ndotjes që shkaktohet nga mbetjet industriale”.
“Janë të gjitha investime që i shtohen atyre të kryera në këtë qark gjatë mandatit të shkuar. Me financimin e buxhetit të shtetit janë zbatuar 406 projekte, nga këto janë 48 projekte që i përkasin infrastrukturës, 34 arsimit, 57 bujqësisë, 22 ujësjellës-kanalizimeve, 8 kulturës e me radhë”, tha kryeministri Rama.
Projekti i Vjosës, sipas tij është gati në Ministrinë e Bujqësisë. “Edhe për Bunën dhe Drinin po bashkëpunojmë për të ndërtuar një projekt të integruar dhe plan veprimi për investimet përkatëse që duhen bërë. Janë procese që kërkojnë kohën e tyre”, tha Rama. /m.marini/ /a.g/
