Rama: Herceptina falas në listën e barnave të rimbursueshme

TIRANË, 20 prill/ATSH-Maela Marini/ – Herceptina, medikamenti kryesor në trajtimin e kancerit të gjirit është përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme dhe do të jepet plotësisht falas.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar në Fier, kryeministri Edi Rama njoftoi për këtë vendim të rëndësishëm me impakt kombëtar. Ai tha se “herceptina është përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme”.

“Kemi marrë vendimin për listën e re të barnave të rimbursueshme, që është zgjeruar për të mbuluar më shumë nevoja të qytetarëve dhe përveç 36 barnave të reja, që do të rimbursohen nga shteti për të gjithë njerëzit në nevojë për medikamente, do të përfshihet si zgjidhje përfundimtare edhe herceptina, një medikament jetik për kancerin e gjirit”, tha Rama.

Ai shtoi se “ky është një trajtim shumë i shtrenjtë, që për shumë vite ishte shumë problematik dhe ndaj terapia zhvillohej në mënyrë të ndërprerë”.

“Tanimë do të përfitohet plotësisht falas në të gjitha spitalet publike të Republikës. Ky është mbajtja e një zotimi me peshë jo të vogël financiare. Asnjë mungesë nuk do të ketë tani e tutje në trajtimin me herceptinë të të gjitha grave dhe vajzave që kalojnë në kalvarin e përballjes me tumorin e gjirit”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.