Nxënësi nga Vlora: Specialistët e TIK më të kërkuar se avokatët dhe doktorët

TIRANË, 20 prill/ATSH/- Arsimi profesional po shihet çdo ditë e më shumë si një mundësi shumë e mirë për të ndërtuar ëndrrat e së ardhmes për shumë nga të rinjtë e vendit.

Një shembull i tillë vjen nga qyteti i Vlorës, ku Thanas Kulaj ka zgjedhur të studiojë në shkollën industriale “Pavarësia”, në degën TIK (Teknologji Informacioni dhe Komunikimi) Vetëm në vitin e parë si student, ai shprehet i kënaqur që ka zgjedhur shkollën profesionale, pasi sipas tij nuk ekziston më mentaliteti që ata që zgjedhin arsimin profesional nuk kanë nivel të lartë akademik.

“Unë jam Thanas Kulaj, një nxënës nga shkolla industriale ‘Pavarësia’ Vlorë, viti i parë, dega TIK. Shumë njerëz mund të mendojnë se në shkollat profesionale shkojnë vetëm njerëzit që kanë notat të ulëta. Kjo nuk është e vërtetë as në rastin tim, as në rastin e shokëve dhe shoqeve te mia. Sipas mendimit tim, dega TIK ka nevojë për më shumë përkushtim sesa arsimi i përgjithshëm. Njerëzit që janë të specializuar në TIK sot janë më shumë të kërkuar edhe se avokatët apo doktorët, sepse vendi, si edhe Europa, po dixhitalizohet.”

Thanasi ka ndarë një pjesë nga jeta e tij, ku ka treguar se interesi për kompjuterët ka lindur që në moshë të vogël.

“Që kur kam që fëmijë kam pas interes të madh për kompjuterët dhe në arsimin 9-vjeçar studiova shumë për këtë gjë”.

Por, si vendosi Thanasi të zgjidhte arsimin profesional?

Ai ka treguar se informacionin e parë për edukimin profesional e mori nga mësuesit e shkollës “Pavarësia”, pasi këta të fundit erdhën në klasën e tij. Më pas Thanasi kërkoi informacione në sajtin zyrtar, derisa mori vendimin përfundimtar.

“Disa nga mësuesit më këshilluan që të vazhdoja gjimnazin, por të gjithë miqtë dhe të afërmit e mi më thanë të ndiqja endrrat e mia. Me të vërtetët jam shumë i kënaqur deri tani. Në shkollën tonë, mësimi bëhet me anë të klasave të kombinuara duke përdorur mjete si lap-top, projektorë etj. Edhe pse jam në vit të parë, ne kemi filluar të bëjmë praktika profesionale me kompani private që na japim eksperienca praktike: si është të ndërtosh vetë një website, printer 3-d, eksperienca që ne nuk mund t’i marrim në vend tjetër dhe na ndihmojnë shumë për vendin e punës për të nesërmen”. Thanasi u bëri apel të gjithë të rinjve, që ta shohin arsimin profesional si një mundësi për të ardhmen e tyre. z.tosku /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.