Lirohen 7 nga 11 të ndaluarit e protestës në Kukës, reagon opozita

TIRANË, 20 Prill/ATSH/- Gjykata e Apelit Shkodër vendosi sot masën e sigurisë “Detyrim me paraqitje” për 7 kuksianët e arrestuar pas protestës në rrugën e Kombit, ndërsa 4 të tjerë do të vijojnë të mbeten në qeli.

Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar sot trupi gjykues vendosi që të lirohen nën masën e sigurisë detyrim me paraqitje; Shpëtim Toda, Shkëlqim Vata, Ervis Ruçi, Rasim Onuzi, Abdi Haziridhe Edmond Matmuja.

Ndërsa Elton Cengu, 39 vjeç, banues në Kukës, Florin Onuzi, 35 vjeç, banues në fshatin Nangë, Kukës,  Vasil Laçi, 31 vjeç, banues në Kukës , si dhe Xhevahir Gashi vendosi të mbeten në qeli.

Pala mbrojtëse ngriti dyshimin se policia ka ndryshuar orarin e arrestimeve dhe për këtë arsye duhet ndryshuar masa e sigurisë. Por, prokuroria kërkoi lënien në fuqi të kësaj mase sigurie.

Pas protestës te Rruga e Kombit, e zhvilluar në fillim të prillit, policia arrestoi 24 persona, nga të cilët gjykata la në burg 11, ndërsa sot Gjykata Apelit la në qeli vetëm 4 prej tyre.

Basha: Lirimi i shtatë kuksianëve, rezultat i protestës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit Shkodër për lirimin e 7 kuksianëve.

“Vendimi i sotëm për lirimin nga arresti të 7 prej kuksianëve të grabitur nga shtëpitë e tyre me urdhër të Edi Ramës, është arritje e protestës dhe rezistencës së qytetarëve. Por kjo drejtësi gjysmake është në fakt padrejtësi, sepse 4 kuksianë mbahen në qeli, ndërkohë që trafikanti ndërkombëtar i drogës Sajmir Tahiri është në parlament”, shkruan Basha, duke shtuar se “PD është në krah të njerëzve, është në krah të popullit”.

Kryemadhi: Procedurat e ndalimit të protestuesve, antiligjore

Edhe Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Apelit në Shkodër. Sipas saj, “asnjë qytetar që ka protestuar për një taksë arbitrare dhe të padrejtë, nuk mund të penalizohet nga një drejtësi, që sot më shumë se kurrë tregoi qartas se është vegël e qeverisë”. shkruan Kryemadhi në Facebook.

“Ne do të jemi në krah të çdo proteste për të liruar kuksianët protestues, që sot janë simboli i qëndresës ndaj arrogancës së pushtetit. Beteja tyre me padrejtësinë është edhe beteja jonë! Me çdo kusht e me çdo mjet demokratik do të jemi në mbështetje të kuksianëve, deri në lirimin e çdo protestuesi dhe rishikimin e taksës për Rrugën e Kombit”, shkruan Kryemadhi. /af/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.