FOTO/Pastrohen segmentet lumore në qarkun e Gjirokastrës

TIRANE, 20 Prill /ATSH/- Aksioni për pastrimin e segmenteve lumore ka hyrë në ditën e katër të tij, në qarkun e Gjirokastrës në jug të vendit.
Prefekti i qarkut Gjirokastër Astrit Aliaj tha për ATSH-në se aksioni për pastrimin e mjedisit nga mbetjet përgjatë segmenteve lumore është përshirë në të gjitha bashkitë e qarkut Gjirokastër.
Në urën e Kordhocës është punuar nga forcat e Detashmentit të Mbrojtjes Rajonale dhe njësia administrative Cepo për pastrimin e rreth 25 ton mbetjeve.
Në Bashkinë Dropull aksioni për pastrimin e territorit nga mbetjet, është shtrirë në zonën e Derviçianit, kufiri me Bashkinë Gjirokastër dhe në segmentin Derviçian – Ura e Goranxise.

Vetëm gjatë këtyre tre ditëve në zonën e Goranxisë të Bashkisë Dropull janë pastruar 7 ton mbetje, thotë Aliaj.

Sipas tij, aksioni po vijon në Bashkinë Libohovë, ku deri tani me forca të përqëndruara njerëzish dhe mjetesh është pastruar zona e Urës së Xhajit, duke larguar rreth 10 ton mbetje.
Ndërsa në zonën e Urës së Bencës në Bashkinë Tepelenë 45 punonjës të bashkisë dhe ujesjëllësit kanë pastruar 10 ton mbetje.
Për pastrimin e 2 ton mbetjeve në shtratin e lumit Vjosë, në hyrje të qytetit të Përmetit punonjësve të bashkisë i janë bashkuar edhe rreth 300 nxënës të shkollave të mesme.
Aksioni për pastrimin e segmenteve lumore ka vijuar edhe në Bashkinë Këlcyrë përgjatë shtratit të lumit Deshnicë, poshtë urës së qytetit dhe tek rruga e spitalit.
Konkretisht ne bashkimin e lumit Vjosë me lumin Deshnicë deri tek xhamia e qytetit janë angazhuar 18 punonjës të bashkisë Këlcyrë, rreth 150 nxënës të shkollave dhe mjete pastrimi, duke larguar rreth 1 ton mbetje nga kjo zonë.
Prefekti Aliaj tha se, aksioni për pastrimin e mjedisit po vijon me intensitet sipas një plani të detajuar për t’i paraprirë edhe hapjes së sezonit turistik, me mjedis të pastër. e.xh/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.