Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOTO/ Largohen 6 350 metër kub mbetje urbane në Korçë

 

TIRANË, 20 prill/ATSH-Maela Marini/ – Rreth 6 350 metër kub mbetje urbane janë pastruar në një territor prej 15.7 km në bashkinë e Korçës, vetëm në 4 ditët e fundit, në kuadër të aksionit kombëtar “Pastrojmë tokën që duam”.

Në një intervistë për ATSH-në, kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo thekson angazhimin e të gjitha strukturave në këtë aksion pastrimi.

“22 Prilli është Dita e Tokës dhe bashkia e Korçës i është bashkuar aksionit të madh mbarëkombëtar për të mbajtur pastër mjedisin. Konkretisht është duke u punuar në qytetin e Korçës, por edhe në njësitë administrative, në fshatra për pastrimin e atyre që janë hotspote pra, pika të nxehta, që kanë qenë vende grumbullimi të mbetjeve”, tha Filo për ATSH-në.

Po ashtu, ai theksoi se “Bashkia e Korçës ka qenë në vazhdim të aksionit të madh të shtimit të sipërfaqeve të gjelbra të mbjelljes së pemëve edhe me disa lulishte të reja ku janë shtuar me mijëra fidanë pemësh”. Ai theksoi se “për herë të parë pemë janë mbjellë edhe në njësitë administrative, ku janë krijuar hapësirat e tjera të gjelbra”.

Ambicia dhe qëllimi ynë për një ambient më të pastër, tha Filo, “nuk mund të realizohet vetëm me një aksion”.

Aksioni për një ambient dhe mjedis më të pastër, sipas tij, shërben edhe si një mesazh sensibilizues për komunitetin dhe banorët e njësive administrative, që të mbajnë pastër ambientin.

Ndërkohë aksionit të pastrimit i janë bashkuar edhe nxënësit e shkollave, të cilët kanë pastruar dhe mbjellë pemë në ambientin rreth shkollës ku zhvillojnë mësimin.

Aksioni i pastrimit në Bashkinë e Korçës:

16 prill 2018

U punua me 4 mjete eskavatorë në fshatrat Polenë, Porodinë, Belorta, Kamenicë dhe u pastruan rreth 2500 metra linearë ose 1500 metër kub mbetje.

17 prill 2018

U punua me 4 mjete eskavatore në fshatrat Polenë, Porodinë, Kuç dhe u pastruan rreth 2600 metër linearë ose 1550 metër kub mbetje.

18 prill 2018

U punua me 4 mjete eskavatorë në fshatrat Polenë, Shamoll, Porodinë dhe u pastruan rreth 2700 metër lineare ose 1700 metër kub mbetje.

19 prill 2018

U punua me katër mjete eskavatorë në fshatrat Polenë, Porodinë, Kamenicë, Shamoll dhe u pastruan rreth 2800 metër linearë ose 1600 metër kub mbetje.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version