BM – Princi Charles pason mbretëreshën si kreu i Komonuelthit

LONDËR, 20 prill /ATSH-DPA/ – Liderët e 53 kombeve të Komonuelthit pranuan të premten se princi Charles do të pasojë mbretëreshën Elizabeth II si kryetar i kësaj organizate të udhëhequr nga Britania e Madhe.

Në një deklaratë të përbashkët nga 53 kombet, falenderohet Mbretëresha për mënyrën e saj të drejtimit të grupit që prej vititi 1952 dhe thuhet se Charles, Princi i Uellsit, djali më i madh i Mbretëreshës dhe trashëgimtar i kurorës britanike, do ta zëvendësojë.

Mbretëresha, e cila nesër mbush 92 vjeç, i kërkoi liderëve të Komonuelthit në fillim të samitit, dje në Londër, se ajo dëshiron që Charles ta pasojë atë.

“Ne e njohim rolin e Mbretëreshës në mbrojtjen e Komonuelthit dhe banorëve të tij”, thuhet në këtë deklaratë.

“Kreu i radhës i Komonuelthit duhet të jetë Lartësia e Tij Mbretërore Princi Charles, Princ i Uellsit”, thekson deklarata.

Liderët zhvilluan dje dhe sot një takim privat në kështjellën “Windsor” jashtë Londrës për të biseduar mbi organizimin e ardhshëm dhe çështje të tjera. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.