Arsimi profesional, rruga e sigurt drejt punësimit dhe rritjes ekonomike

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155748456811523/

TIRANË, 20 prill /ATSH-Maela Marini/ – Arsimi profesional është rruga e sigurt drejt punësimit real dhe rritjes ekonomike, ndaj dhe qeveria shqiptare mbështet me politika të veçanta zhvillimin e arsimit profesional.

I pranishëm në edicionin e 3-të të “Panairit të aftësive 2018”, kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e arsimit profesional, si një alternativë punësimi për të rinjtë në tregun e punës.

Vetëm pak vite më parë, sipas Kryeministrit, arsimi profesional ishte thjesht një zonë dëshpërimi dhe faktikisht një element i diskriminuar i sistemit tonë.

Për të ilustruar këtë fakt, kryeministri Rama iu referua një raporti të pak viteve më parë të Dhomës Gjermane të Tregtisë, që e përshkruante në mënyrë shumë të qartë situatën e tregut të punës si pasojë e politikave të gabuara të ndjekura për thuajse çerekshekulli në vendin tonë.

Shqipërisë, sipas këtij raporti, i mungojnë punëtorë të kualifikuar në industrinë tekstile, ushqimore, elektro-mekanike, saldatorë, elektricistë, guida turistike, specialistë ashensorësh etj.

Kjo mungesë dramatike e kaq shumë zanateve dhe profesioneve në një vend në zhvillim, për kryeministrin Rama, do të thotë një vend që ecën jo mbi dy këmbë, por vetëm me një këmbë.

“Përpjekja jonë për ta bërë vendin të ecë mbi dy këmbë, në kuptimin e arsimit dhe formimit të të rinjve ka nisur që në ditën e parë të mandatit të parë dhe sot nuk jemi ende në pikën ku mund të themi se vendi tani ecën në dy këmbë”, tha Rama.

Por sipas tij, “jemi në një moment ku mund t’i prekim nga afër rezultatet e arritura dhe ta shikojmë me më shumë optimizëm dhe siguri të ardhmen”.

4 vite më parë, theksoi Rama, në arsimin profesional kishte 3 mijë nxënës, që në numër ishin shumë pak, por në kushtet në të cilat arsimoheshin ishin faktikisht krejtësisht të harruar dhe të humbur në mes të rrugës.

Kryeministri theksoi se, “sot kemi 19 mijë nxënës dhe 6 mijë të tjerë që janë pjesë e kurseve dhe trajnimeve profesionale, të cilët në total përbëjnë 20 % të numrit të përgjithshëm të nxënësve sot në Shqipëri”.

“Është ende shumë, shumë, shumë pak. Duhet të jetë shumë më tepër se kaq. Qëllimi dhe politika jonë në këtë drejtim është e dedikuar që numri i nxënësve që shkojnë në arsimin profesional të rritet në mënyrë progresive dhe të mos shkojnë thjesht dhe vetëm nxënësit që nuk ndjekin dot arsimin e mesëm të përgjithshëm, por edhe më të mirët”, tha Rama.

Në shkollat profesionale, sipas tij, ka po ashtu një numër nxënësish shumë të mirë, që kanë zgjedhur arsimin profesional.

Kryeministri theksoi se “20 % më shumë është mundësia e punësimit e atyre që kryejnë arsimin profesional në krahasim me ata që e kanë një diplomë universiteti”. Kjo, sipas tij, lidhet edhe me cilësinë mizerabël të shumë diplomave të universiteteve të së shkuarës, apo urinë që ka tregu i punës për profesionistë”.

“Shkalla e punësueshmërisë e nxënësve që diplomohen në arsimin profesional është 13% më e lart se ajo e nxënësve me arsim të mesëm të përgjithshëm. “Edhe vlera e pagës për nxënësit që mbarojnë arsimin profesional në vendin e parë të punës është më e lartë se atyre me arsim të përgjithshëm”, theksoi Kryeministri.

Qeveria do të vazhdojë ta nxisë shumë fort arsimin profesional, theksoi Kryeministri, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Zvicra i ka dhë Shqipërisë në këtë drejtim.

“Këtu foli edhe ambasadori i Zvicrës, një ndër aleatët më të rëndësishëm që ne kemi, si përfaqësuesi i një vendi që po jep e do të japë një ndihmesë shumë të çmuar për rritjen cilësore të arsimit profesional”, tha Rama.

Në këtë rrugë, sipas tij, qeveria është bashkë me kompanitë dhe partnerët, një bashkësi e domosdoshme kjo, pasi partnerët sjellin dije dhe eksperiencë dhe kompanitë krijojnë hapësira dhe mundësi në një proces ku reforma e arsimit profesional ka vendosur si parim themelor ndarjen e orëve mes shkollës dhe vendit të punës.

Nxitja e të rinjve për të ndjekur rrugën e arsimit profesional dhe rritja e kapaciteteve në funksion të përdorimit të teknologjive të reja, për kryeministrin Rama, janë sot pjesë e një fazë të re në një rrugë që vazhdon.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.