Shqipëri-Belgjikë, bashkëpunim i shkëlqyer për frenimin e migracionit të paligjshëm

TIRANË, 19 prill /ATSH- I. Vata/ – Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Belgjikës ka frenuar emigracionin e paligjshëm, ka deklaruar sot, zv/ministrja e Brendshme Rovena Voda në takimin me Sekretarin për Azilin dhe Migracionin në Belgjikë, Theo Francken.

Pas takimit, në një deklaratë të përbashkët për mediat, Voda tha se marrëdhëniet tona janë në një nivel bashkëpunimi shumë të mirë dhe me rezultate konkrete, por që duhet sigurisht të intensifikohen dhe presim sigurisht rezultate më të mira.

“E falënderova Sekretarin e Shtetit për mbështetjen që Belgjika i ka dhënë procesit të integrimit të vendit tonë në BE”, tha Voda.

Më tej, Voda shtoi se në fokus të veçantë të diskutimeve tona, ishin çështjet e migracionit të paligjshëm dhe azilkërkimit. “Në këtë kontekst, i prezantova paketën e masave të marra për frenimin e migracionit të parregullt jo vetëm drejt Belgjikës, por edhe vendeve të tjera të BE-së, të cilat ndikohen nga ky fenomen”, tha Voda.

Gjithashtu, Voda tha se kemi bërë fushata intensive sensibilizuese; masa administrative dhe procedime për favorizuesit dhe nxitësit e azilit të paligjshëm. “Masa që ne kemi ndërmarrë deri tani kanë dhënë një efekt paraprak. Në vendet e zonës Shengen ne kemi një ulje të kërkesës për azil me 24% për vitin 2017, sipas të dhënave të Eurostat. Gjithashtu mjafton të kujtojmë faktin se 3 muajt e parë të këtij viti, iu është refuzuar dalja rreth 5,400 shtetasve shqiptarë për mungesë dokumentacioni”, tha Voda.

Ndërsa Sekretari për Azilin dhe Migracionin në Belgjikë, Theo Francken u shpreh se kam ardhur në Shqipëri për të trajtuar së bashku me autoritetet shqiptare çështjen e migracionit të paligjshëm nga Shqipëria në Belgjikë dhe për t’i dhënë të gjithë qytetarëve shqiptarë një paralajmërim të fortë sa i përket migracionit të paligjshëm, që emigracioni i paligjshëm në Belgjikë nuk është absolutisht një opsion.

“Përkundrazi në fakt do të jetë një përpjekje e kotë dhe e pavlerë, sepse do të jetë e kushtueshme dhe e vetmja gjë që do të bëjë është që ju do t’ju kthejnë sërish në Shqipëri në mënyrë shumë të shpejtë.” tha ai.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.