Rekomandimi, Ruçi: Inkurajim për të vijuar më tej punën në procesin e integrimit

TIRANË, 19 Prill/ATSH-Maela Marini/.- “Rekomandimi për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian hap një kapitull të ri për Shqipërinë, dhe është një vlerësim dhe inkurajim për të vijuar më tej punën në procesin e integrimit”.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, gjatë seancës së sotme plenare shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për të gjithë personalitetet europiane që kanë mbështetur Shqipërinë në rrugën e vështirë të përmbushjes së kritereve të integrimit.

“Falënderim i drejtoj dy raporterëve për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, që kanë qenë periodikisht pranë nesh dhe pas vendimit të Komisionit Europian kanë qenë po kaq të gëzuar sa ne”, tha Ruçi.

Ruçi po ashtu falënderoi të gjithë përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri që për vite me radhë kanë qenë syri, veshi dhe mendja i kancelarive të tyre. Ruçi u drejtoi atyre lutjen që të jenë avokatë të Shqipërisë edhe në vijim në kancelaritë e tyre, pasi sipas tij, shqiptarët në BE janë vlerë e shtuar për të gjithë popujt e BE-së.

Një mirënjohje të veçantë Ruçi i drejtoi përfaqësuesve diplomatikë të BE-së në Shqipëri, veçanërisht ambasadores Romana Vlahutin, për kontributin e saj.

“Njëherësh në jemi deputetë dhe në këtë sallë kanë qenë kolegët tanë para nesh, të cilëve u përcjellim falënderimet për të gjithë kontributin që kanë dhënë në vite, veçanërisht drejtuesve të komisionit parlamentar të Integrimit dhe atij të Jashtëm. Përshëndesim të gjitha qeveritë në vite, ministra, kryeministra, veçanërisht ata që kanë drejtuar ministrinë e Integrimit dhe atë të Jashtme, që kanë dhënë kontribut të vyer për Shqipërinë në këtë proces”, tha Ruçi.

Pavarësisht se kolegë të opozitës për arsye politike elektorale nuk guxojnë ta pranojnë, vijoi Ruçi, “meritë e padiskutueshme e marrjes së rekomandimit ka kabineti aktual qeveritar me në krye Kryeministrin Edi Rama dhe po ashtu ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.