FOTO/ Tiranë, vetëm në tre ditë u depozituan 276 m3 mbeturina në Landfillin e Sharrës

TIRANË, 19 prill /ATSH/ – Falë angazhimit të prefekturës së Tiranës në bashkëpunim edhe me institucionet përkatëse, nisja e aksionit të pastrimit ka bërë që të depozitohen 276 m3 mbetje urbane në Landfillin e Sharrës.

Nisma që prej 3 ditësh ka nisur intensivisht për pastrimin e Tiranës, por jo vetëm, fillimisht është punuar në 6 segmente lumore si: Ura e Brarit, Ura e Laknasit, Ura e Limuthit, Ura e Mëzezit, Dogana (Bashkia Vorë), Ura Vila Aeroport.

Prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari ka bërë të ditur për Agjencinë Telegrafike Shqipëri se në këtë aksion janë angazhuar 272 Forca të Armatosura, 187 nga Bashkitë e Qarkut Tiranë dhe 26 nga biznesi privat. Po kështu janë vënë në dispozicion 15 mjete nga Forcat e Armatosura, 19 nga Bashkitë e Qarkut, 3 nga biznesi privat dhe 1 mjet nga drejtoria e ujitjes dhe kullimit.

Sakaq, në ditën e tretë të pastrimit ka nisur puna në 4 segmente lumore: ura në Lundër, ura e Laknasit, ura Vila Aeroport dhe përgjatë lumit Shkumbin, ku janë angazhuar 107 forca njerëzore dhe 3 mjete nga Forcat e Armatosura, 55 forca njerëzore dhe 15 mjete nga Bashkitë e Qarkut Tiranë dhe 13 forca njerëzore dhe 1 mjet nga biznesi privat. /z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.