Haradinaj-Zvizdiq, diskutojnë për mundësinë e heqjes së vizave Kosovë-Bosnjë

TIRANË, 18 prill /ATSH/ – Paqja rajonale, forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe politik si dhe rruga e përbashkët europiane e të dy vendeve, ishin temat e diskutimit në takimin dypalësh që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj zhvilloi me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq.

“Kosova ka interes të ketë bashkëpunim të mirë me të gjitha vendet e Ballkanit. Bosnja dhe Hercegovina është një nga vendet me të cilat ne duhet të kemi partneritet korrekt politik dhe ekonomik. Ne na pret një rrugë e përbashkët, rruga europiane”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari Zvizdiq tha se ndërtimi i paqes dhe i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor mbetet një synim i përhershëm i Bosnjes dhe Hercegovinës, bashkë me bashkëpunimin ekonomik mes dyja vendeve.

Në këtë takim u diskutua edhe për mundësinë e heqjes së vizave në mes të dyja vendeve, si një hap i domosdoshëm për zhvillimin e raporteve ekonomike, por njëkohësisht edhe për lëvizjen e lirë të shumë qytetarëve, familjarë që jetojnë në Kosovë dhe në Bosnje.

Takimi i sotëm në mes të kryeministrit të Kosovës me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, u zhvillua në vigjiljen e Samitit të Parë Dixhital të Ballkanit Perëndimor, që po zhvillohet në Shkup të Maqedonisë. /KosovaPress/ /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.