TURQI – Ultranacionalistët kërkojnë zgjedhje të parakohshme

ANKARA, 17 prill /ATSH-AFP/ – Devlet Bahçeli, lideri i partisë ultranacionaliste të Turqisë dhe aleat i presidentit, Recep Tayyip Erdogan bëri sot thirrje për të përshpejtuar për në verën e ardhshme zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, të planifikuara të mbahen në nëntor të vitit 2019.

”Në kushtet e tanishme, është e pamundur për Turqinë për të pritur 3 nëntorin e vitit 2019”, u shpreh kreu i Partisë së Nismës Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, gjatë një fjalimi të mbajtur para grupit të tij parlamentar në Ankara.

”Rruga më e arsyeshme është që populli turk t’i drejtohet qendrave të votimit më 26 gusht të vitit 2018 për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare”, shtoi Bahçeli, i cili ka arritur me Erdogan një marrëveshje për krijimin e një koalicioni për zgjedhjet e ardhshme.

Data 26 gusht korrespondon në historinë turke me betejën e Manzikert-it në vitin 1071, që shënon hyrjen e turqve në Anadoll pas fitores së sulltanit selçuk, Alp Arslan ndaj trupave bizantine.

Këto deklarata vijnë ndërsa liderët turq, përfshirë Erdogan kanë përgënjeshtuar javët e fundit disa herë zërat për zgjedhje të parakohshme.

Cituar nga mediat turke, zëdhënësi i qeverisë, Bekir Bozdag deklaroi se kërkesa e Bahçeli do të merrej për shqyrtim./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.