Opozita është e bashkuar në thirrjen për hapjen e negociatave të Shqipërisë

TIRANË, 17 Prill /ATSH- I. Vata/ – “Opozita është e bashkuar në thirrjen e saj për të kërkuar hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE”, ka deklaruar sot Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndërsa ka marrë pjesë  seancën dëgjimore të mbledhjes së përbashkët të anëtarëve të komisionit për Çështjet Europiane në Komisionin e Politikës së Jashtme të Budestagut në Gjermani.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një video në statusin e tij facebook  shprehet se “këtu është një nga audiencat më kritike për zgjerimin në tërësi dhe për Shqipërinë në veçanti. Shqetësimet kryesore të grupit CDU-CSU kanë të bëjnë me luftën kundër drogës, me luftën kundër korrupsionit, reformën në drejtësi”.

Më tej, Basha tha se “qëndrimi në tërësi është skeptik për sa i përket hapjes së negociatave dhe detyra më e vështirë është të bindim këtë komision sot që nga njëra anë, për problemet reale në Shqipëri që ekzistojnë dhe për të cilat ata kanë raportimet e tyre objektive dhe konkrete edhe nga agjencitë e ligj zbatimit dhe nga burime të tjera gjermane dhe europiane”.

“Por që nga ana tjetër këto problem mund të luftohen me hapjen e negociatave dhe jo me mos hapjen e tyre dhe që opozita është e bashkuar në thirrjen e saj për të kërkuar hapjen e negociatave edhe si një mjet shtesë presioni dhe monitorimi për të intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe monitoruar zbatimin e vërtetë të reformës në drejtësi, një drejtësi të pa kapur politikisht, por dhe për çështje si reforma në administratës publike dhe reforma zgjedhore dhe kjo është detyra jonë sot në Berlin”, theksoi Basha ./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.