Bushati: Pas rekomandimit, Shqipëria do të jetë nën monitorim

TIRANË, 17 prill/ATSH/-“Pas marrjes së rekomandimit për hapjen e negociatave, është momenti kur ne duhet të mendojmë seriozisht nëse jemi gati të përveshim duart në këtë pikë që jemi në monitorim”.

Kështu u shpreh Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati i ftuar në një nga programet televizive të mbrëmjes, nga ku u përgjigj pyetjeve të një paneli analistësh dhe gazetarësh lidhur me atë çka vjen pas marrjen së rekomandimit.  Sipas Bushatit, pas këtij rekomandimi, Shqipërinë e pret një proces sfidues dhe i vështirë, ndaj duhet të përveshim mëngët për punë.

“Ne duhet të mendojmë seriozisht përveshjen e mëngëve. Para nesh do të hapet një kantier shumë më i madh pune, procesi do të jetë shumë më i vështirë, procesi do të jetë edhe më sfidues. Shqipëria do të jetë nën vëzhgimin edhe më të rreptë. Do të këtë disa mekanizma të qartë të inkurajimit të zhvillimit dhe transformimit të vendit”, tha Bushati.

I pyetur mbi rekomandimin pozitiv nëse ky i fundit është meritë apo jo e kësaj qeverie, ministri tha se kjo përgjigje e sotme i përket të gjithë punës të bërë ndër vite nga të gjitha qeveritë.

“Mendoj  se sot është një ditë e lumtur për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe do të ishte e gabuar ta ndanim këtë si një panorame bardh e zi sepse ky raport që pasohet nga rekomandimi për nisjen  e negociatave të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, bazohet në disa reforma të ndërmarra gjatë  gjithë këtyre viteve dhe jo thjesht gjatë reformave të ndërmarra gjatë qeverisjen tonë. Kryeministri Rama në deklaratën për shtyp bëri një dedikim për të gjithë qeveritë dhe personat që kanë kontribuar në këtë  proces” theksoi Bushati.

Ai nuk la pa përmendur faktin se një nga arsyet pse rekomandimi ishte pozitiv lidhet edhe me vënien në zbatim të reformës në drejtësi.

“Dhe natyrisht që sot përveçse është një ditë e lumtur që konfirmon rezultatin përsa i përket reformave në fushën e studimit të së drejtës si: reforma në drejtësi që është ne proces zbatimi dhe është në numrat e parë të gjyqtarëve dhe prokurorëve që ka prekur kjo reformë por edhe si një shembull pozitiv edhe për vendet e tjera të rajonit”, shtoi ndër të tjera ministri.

Lidhur me vendimin e BE-së për të çelur negociatat në muajin qershor, Bushati ka shpjeguar se rekomandimi për hapjen e negociatave është vendim i shteteve anëtare në BE, dhe kjo e fundit përcaktohet edhe nga axhendat politike të vendeve të BE-së. Po kështu, ministri ka përmendur edhe faktin se BE nuk është në momentin më të mirë të mundshëm lidhur me politikën e tij të zgjerimit.

Gjithashtu, Bushati shtriu dorën e bashkëpunimit për opozitën, duke thënë “se kontributi i zotit Basha dhe Partisë Demokratike është i mirëpritur në reformën në drejtësi por jo vetëm”. z.tosku//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.