Zhvillohet Forumi Qytetar për Sigurinë në Elbasan

59

TIRANË, 16 prill /ATSH/- Në qytetin e Elbasanit u zhvillua sot Forumi Qytetar për Sigurinë, me pjesëmarrjen e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, deputetë të qarkut, kryebashkiakut të Elbasanit dhe 6 drejtues të njësive vendore, grupe të interesit, të shoqërisë civile si dhe rreth 400 qytetarë, përfshirë studentë të rinj.

Forumi Qytetar për Sigurinë, është nismë e cila do të aplikohet dhe në 11 qarqet e tjera të vendit në ditët në vijim.

Ky forum u mbajt pikërisht në qarkun ku nisi edhe Projekti Pilot për Policimin në Komunitet, për strukturën e re të Policisë së Shtetit.

Qytetarët të ndryshëm, iu drejtohen zyrtarëve të lartë të pranishëm pyetjet më shqetësuese, që nga siguria, lufta kundër krimit, drogës, qetësia publike dhe probleme të tjera që shqetësojnë shtetasit dhe komunitetin.

Në këtë forum, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka falënderuar qytetarët dhe ka kërkuar prej tyre më shumë besim dhe bashkëpunim.

Gjithashtu gjatë këtij forumit, Drejtori i Përgjithshëm, ka surprizuar të pranishmit me dy certifikata për shërbime të dalluara, për dy ish-punonjës të Policisë së Shtetit tashmë në pension, ku njëra ka qenë punonjësja e parë femër e Policisë shqiptare.

Kreu i Policise Veliu, tha se, “prezenca kaq e madhe e qytetarëve të Elbasanit sot, do të shërbejë si një motiv dhe një arsye më shumë, për të gjithë efektivin e Drejtorisë Vendore Elbasan, për të përmbushur misionin, krijimin e rendit dhe sigurisë e këtij qyteti, sepse të jesh punonjës policie është jo privilegj, por përgjegjshmëri dhe sakrificë.”

Veliu i bëri thirrje të gjithëve të pranishmëve, që ta largojnë indiferentizmin dhe të jenë më proaktivë, për t’i dhënë më shumë besim, Policisë së Shtetit.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, në fjalë e tij tha se, “përfitoj nga rasti që t’i dorëzoj certifikatën e karrierës punonjëses së Parë të Policisë Shqiptare, në pension Znj. Jolanda Grigor Flaga, Certifikatë për Shërbime të Dalluara, ‘Për kontribut të shquar në promovimin e vlerave të Policisë së Shtetit në publik’ dhe për nxitjen e bashkëpunimit me komunitetin, në interes të forcimit të rendit publik.

Jolanda Grigor Flaga: duke shprehur falënderimet u shpreh se,“kam qenë punonjëse e Policisë së Shtetit që në vitin ’67, jemi munduar të punojmë me ndershmëri dhe përkushtim. Uroj të gjithë punonjësit e Policisë të jenë të përgatitur, të vlerësojnë qytetarët, të vlerësojnë ligjin, dhe të vlerësojnë dhe të respektojnë njëri-tjetrin dhe detyrën.”

Certifikatë për Shërbime të Dalluara, iu dorëzua edhe Vehap Hamza Xhindolit, “Për kontribut të shquar në promovimin e vlerave të Policisë së Shtetit në publik dhe për nxitjen e bashkëpunimit me komunitetin, në interes të forcimit të rendit publik.”

Xhindoli tha se, “unë kisha vetëm dy këshilla të vogla. Drejtësia, dhe në qoftë se keni shpatën e drejtësisë mbi kokë, të mos keni frikë, sepse të jeni të sigurt që keni vepruar mirë. E dyta, drejtësia është një vlerë që mund të shkojë në të gjithë botën, prandaj mundohuni të jeni sa më të ndërgjegjshëm, dhe këshilla ime e fundit është kjo: Nëse do mundohemi vazhdimisht që t’ia pakësojmë sadopak punën Policisë, duhet të arrijmë që ta ndihmojmë neve që jemi pjesëmarrës në këtë komunitet sa më shumë. Në këtë mënyre ia zvogëlojmë punën Policisë. Shkurt, të marrim pjesë të gjithë në ruajtjen e rendit dhe të qetësisë. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.