Shpresojmë që Basha të mos lobojë kundër hapjes së negociatave

105

TIRANË, 16 prill /ATSH/ – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një prononcim për mediat nga Kryesia e Kuvendit u shpreh se Shqipëria ka përmbushur tërësisht prioritetet kyçe të vendosura për rekomandimin nga KE për hapjen e negociatave.

Sipas Ballës, sjellja e patolerueshme e PD-së në seancat e fundit plenare ka të bëjë me kundërvënien e kësaj force politike kundër Reformës në Drejtësi dhe Vetting-ut dhe në momentin që jemi edhe kundër hapjes së negociatave.

Gjithashtu Balla theksoi se Basha në Berlin do të duhet të lobojë pro Shqipërisë dhe hapjes së negociatave, sepse hapja e negociatave nuk është një fitore e PS-së, por është një kulmim i një procesi historik.

“Shqipëria ka përmbushur tërësisht prioritetet kyçe të vendosura për rekomandimin nga ana e KE për hapjen e negociatave dhe jemi shpresëplotë që rekomandimi nesër, i cili në mënyrë simbolike do t’i dorëzohet autoriteteve shqiptare që nesër nga ana e ambasadores së Delegacionit të BE-së dhe një ditë më pas nga autoritetet më të larta përfaqësuese të BE-së, drejtuar nga Komisionerja e lartë në Politikën e Jashtme, Mogherini, të cilët meritojnë një falenderim në emër të popullit shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin Shqipërisë në rrugën e saj historike të anëtarësimit në BE”, tha Balla.

Balla duke kujtuar vizitën e Bashës në Berlin për takime me përfaqësues të politikës gjermane, tha se “ai do të duhet të lobojë pro Shqipërisë dhe hapjes së negociatave, sepse hapja e negociatave nuk është një fitore e PS, nuk është vetëm një arritje e mazhorancës tonë, por është një kulmim i një procesi historik, ku kanë kontribuar të gjitha qeveritë dhe përmbushja e kritereve dhe prioriteteve kyç të përcaktuar nga KE vit pas viti u kurorëzua me angazhimin e qeverisë dhe mazhorancës, që kanë të bëjnë me përmbushjen e Reformës në Drejtësi, miratimin, që ka të bëjë me sukseset e procesit të Vetting-ut, po të kemi parasysh që ditë pas dite kemi raste konkrete të përjashtimit nga sistemi gjyqësor të elementëve, të cilët rezultojnë që përmes korrupsionit vit pas viti të kenë bërë pasuri të pajustifikuara”.

“Ky është një proces tek i cili kemi mbërritur pas një rruge të gjatë. Kushdo që për axhenda të vogla politike të ditës, apo të hallit të vet personal, sikurse ka Lulzim Basha, si dhe sjellja e patolerueshme e PD-së në seancat e fundit plenare, ka të bëjë me kundërvënien e kësaj force politike kundër reformës në drejtësi dhe Vetting-ut, në momentin që jemi pranë hapjes së negociatave. Unë shpresoj që Lulzim Basha të mos jetë dhe mos të investohet në një lobing kundër hapjes së negociatave edhe në prezencën e fundit në Berlin”, tha Balla./af/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.