Reforma në Drejtësi rrit besimin e qytetarëve, në 6 muaj 871 denoncime

78

TIRANË, 16 prill /ATSH/ – Nga muaji tetor i vitit 2017 deri në muajin mars 2018, në Komisionit e Pavarur të Kualifikimit janë regjistruar 871 denoncime në drejtim të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku të parët janë në shënjestër më së shumti.

Duket se hyrja në fuqi e Reformës në Drejtësi ka rritur besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë, ndërsa vijon procesi i Vetting-ut për gjyqtarët.

Deri më tani dy gjyqtarë janë larguar nga sistemi duke mos kaluar filtrin e Vetting-ut.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi për ATSH, se shumica e denoncimeve i drejtohen gjyqtarëve, teksa numri ankesave për prokurorët është më i vogël.

Këto denoncime merren nga KPK dhe sipas rastit vlerësohet dhe saktësia ose jo e denoncimit.

Komisioni i Pavarur të Kualifikimit rikujton se, nuk ka si detyrë të rishikojë vendimet e gjykatave, por të mbledhë të dhëna, prova dhe fakte konkrete lidhur me veprime korruptive, apo shkelje ligjore të subjekteve të rivlerësimit.

Në denoncime e marra nga KPK, vihet re fakti se qytetarët në argumentet e tyre kanë paraqitur të njejtët argumente ligjorë, me të cilat kanë kërkuar në gjykatë të drejtën e tyre, duke i bashkangjitur dhe vendimin.

Nga denoncimet e marra ka pasur denoncime të vlefshme, të cilat u kanë ardhur në ndihmë trupave gjykuese, ndërkohë që çdo denoncim i bashkëlidhet dosjes së subjektit të rivlerësimit, të cilit i takon denoncimi dhe është trupa gjykuese që, në zbatim të ligjit,  shqyrton dhe vendos për të.

/a.f/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.