Reagim popullor kundër padrejtësisë ndaj kuksianëve të arrestuar

123

TIRANË, 16 prill /ATSH – I. Vata/ – “Reagim popullor kundër padrejtësisë ndaj kuksianëve kurajozë që mbahen në burg të arrestuar në mënyrë të paligjshme”, ka deklaruar sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Basha shprehet se pamjet që vërtetojnë rrëmbimin e qytetarëve kuksianë në mes të natës, dëshmojnë se arrestimet e tyre janë bërë në mënyrë të paligjshme, dhe më pas policia dhe prokuroria kanë falsifikuar në bashkëpunim me njëra-tjetrën dokumentet zyrtare.

Po ashtu, Basha shton se rrëmbimi dhe burgosja e paligjshme e qytetarëve të pafajshëm kuksianë duhet të ndëshkohet.

Edhe nënkryetari i PD-së Edi Paloka në një deklaratë për mediat tha se kuksianët u arrestuan në mënyrë të paligjshme, madje policia dhe prokuroria falsifikuan për arrestimin e tyre.

“Nuk do të ketë qetësi për Edi Ramën derisa qytetari i fundit i Kukësit mbahet pa të drejtë në burg. E pranoi me gojën e tij që ishte fajtori. Por ndërkohë, të mbajtur peng e të grabitur në burg, janë qytetarët e Kukësit”, tha Paloka.

Ai tha se “në çdo vend tjetër demokratik do të mjaftonte shkelja e këtyre të drejtave, jo në rastin e qytetarëve të Kukësit që janë të pafajshëm, por edhe në rast që ata që arrestohen në këto forma janë faktorë, në vendet demokratike lirohen”.

Paloka i bëri thirrje kryeministrit që të lirojë qytetarët e pafajshëm dhe të arrestojë kriminelët. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.