Rama: Kemi ulur taksat

200

TIRANË, 16 prill/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria e drejtuar prej tij nuk i ka rritur taksat, madje nga taksa progresive e vendosur prej saj kanë përfituar 97% e shqiptarëve.

“Shuma që ka paguar kjo qeveri që prej 2013 është më e madhja që kanë paguar edhe disa qeveri të marra së bashku, sa i takon qasjes sociale për njerëzit në nevojë. Nuk mjafton, por nuk mund të marrim borxh për të rritur shpenzimet”, shpjegoi kryeministri.

Rama renditi të gjitha ndryshimet në sistemin e taksave që prej 2013.

“Përjashto taksën mbi të pasurit, që e kemi çuar nga 10-15%, taksimin progresiv si dhe taksën e karburantit, duke e konsideruar rënien e çmimit në tregun ndërkombëtar dhe duke vlerësuar se do të ishte më e udhës të rrisnim aty një taksë dhe faktikisht po të krahasojmë në katër vite janë 120 milionë dollarë të kursyera nga përdoruesit e karburanteve, unë ju sfidoj të më tregoni një taksë të vetme që ka rritur qeveria”, tha Rama.

Sipas tij, kjo qeveri ka ulur taksat për 97% të punonjësve që deri dje paguanin 10% tatim mbi pagat, ndërsa sot kush ka pagën nën 30 mijë lekë paguan zero lekë.

Gjithashtu, Rama deklaroi se është ulur taksa për biznesin e vogël.

“E kemi bërë 0 taksën për biznesin e vogël nga 0-5 milionë lekë, nga 10% që ishte dhe e kemi bërë 5% taksën për biznesin e vogël në fashën 5-8 milion”, tha Rama.

Sipas tij, nëse njerëzit ishin mësuar të mos paguanin dritat, ujin, nuk paguanin kostot e shërbimeve dhe sot i paguajnë, këto nuk janë taksa. Këto janë pagesa për shërbime që kanë brenda një mall dhe çdo mall paguhet”, shtoi kryeministri.

Ai apeloi qytetarët të mos ngatërrojnë politikën e taksave të qeverisë qendrore me tarifat e pushtetit vendor.

“Kjo është autonomi e pushtetit vendor dhe nuk lidhet me qeverinë qendrore”, shpjegoi Rama.
/a.gjonaj/ /a.g

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.