Përfitimi i statusit të minatorit brenda këtij mandati qeverisës

83

TIRANË, 16 prill /ATSH/- Kryeministri Edi Rama i siguroi sot minatorët se do të përfitojnë statusin brenda këtij mandati qeverisës.

“Në mandatin e parë qeverisës premtuam uljen e moshës së daljes në pension për minatorët dhe e ulëm, premtuam rritjen e sigurisë në miniera dhe e kemi rritur, premtuam rritje tërësore pagash në sektor dhe e mbajtëm. Këtë mandat kemi premtuar statusin dhe do ta mbajmë”, deklaroi kryeministri.

Rama i shoqëruar nga ministrat Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri zhvilloi sot një me themeluesit e sindikatës së minatorëve “Janar 1991”, sot të dalë në pension, të cilët kanë kërkuar shpjegime për ecurinë e projektit të statusit të minatorit.

“Ne kemi kërkuar që masa e pensionit minimal për minatorët të jetë jo më pak se 131% e pagës minimale zyrtare, ndërsa pagat minimale në miniera të jenë jo më pak se 200% e pagës minimale zyrtare. Të përshkallëzohet mosha e daljes në pension si dhe të trajtohen me pensionin maksimal familjet e atyre minatorëve që kanë humbur jetën në minierë”, tha Fiqiri Xibri.

Sipas kryeministrit, ka një dialog e ndërveprim mes qeverisë e sindikatave të minatorëve.

“Ne kemi bërë jo pak edhe pse nuk është mjaft në këtë sektor. Sot sektori është ndryshe. Kemi investime serioze ndryshime serioze, pozitive në interes të minatorëve në kuptimin e trajtimit me pagën. Kemi edhe disa investime që hapin rrugën për përpunimin në vend të mineraleve dhe jo t’i eksportojmë ato”, renditi kryeministri disa nga masat.

Rama tha po ashtu se qeveria ka ndërmarrë edhe një reformë për pensionet, e cila shtoi ai i ka hapur një perspektivë të re të gjithë minatorëve që dalin në pension pas zbatimit të saj.

Këtu tha ai, jemi në një ngërç për shumë njerëz, që kanë dalë në pension para reformës.

“Fatkeqësisht shumë pensionistë që janë në pension para reformës sonë paguajnë pasojat e mungesës së vizionit dhe kurajës për të reformuar këtë sistem dhe nuk kanë mundësinë të kapërcejnë tavanin që ishte vendosur për të gjithë njëlloj, pavarësisht viteve të punës dhe kontributit”, shpjegoi kryeministri.

Sipas tij, sot kemi një sistem pensionesh të reformuar dhe çdokush që del në pension sot trajtohet ndryshe, pasi pensioni i tij bazohet mbi vitet e punës dhe kontributit në sigurime.

“Ne jemi të interesuar për propozimin tuaj për rritjen e pagës minimale të minatorëve për të fuqizuar më pas çdonjërin prej tyre edhe në aksesin në pension, sikundër edhe për skemën e përshkallëzimit.

Kryeministri theksoi se kostoja e këtyre propozimeve do të diskutohet mes sindikalistëve dhe ministrave të Financës e atij të Energjetikës.
Shefi i ekzekutivit, po ashtu vuri theksin mbi nevojën e pastrimit të skemës.
“Qasja drejt statusit, nëse nuk pastrohet skema bëhet kërcënuese për vetë rezultatin. E para duhet të ndajmë qartësisht në status, çfarë quajmë një ish-punonjës në miniera që meriton status”, theksoi kryeministri.
Ne kemi nevojë, tha ai, për mbështetjen e grupimeve tuaja për të pastruar listat nga ata që shfaqen si ish-minatorë, por që nuk e meritojnë të jenë pjesë në këtë proces. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.