Nesti Baba, një histori në ATSH

202

Nesti Baba, një histori në ATSH

Nesti Baba, një histori në ATSHhttps://ata.gov.al/2018/04/16/nesti-baba-nje-histori-ne-atsh/Një prej punonjësve më të vjetër të agjencisë zyrtare të lajmeve në vend, i cili e ka nisur punën në këtë institucion 4 dekada më parë, Nesti Baba ka punuar me pasion, në sektorin e arkivës si editues i fotografisë.Nesti Baba është një njohës shumë i mirë i historisë së fotografisë dhe një mjeshtër i laboratorit dhe i stampimit në dhomën e errët.“Të gjithë tentojmë të lëmë gjurmë, por jo të gjithë e arrijmë. Mund të them që Nesti ia ka dalë të lërë gjurmë, jo vetëm në ATSH”, u shpreh Krasniqi.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 16.04.2018

TIRANË, 16 prill /ATSH/ – Agjencia Telegrafike Shqiptare hapi sot në COD në kryeministri një ekspozitë me foto të fotografit Nesti Baba.

Një prej punonjësve më të vjetër të agjencisë zyrtare të lajmeve në vend, i cili e ka nisur punën në këtë institucion 4 dekada më parë, Nesti Baba ka punuar me pasion, në sektorin e arkivës si editues i fotografisë.

Falë këtij angazhimi të pandërprerë dhe si një pasues i brezit të mrekullueshëm të historisë së këtij institucioni mediatik, sot arkivi i ATSH-së është i pasur me foto, të cilat pasqyrojnë periudha të ndryshme të Shqipërisë në shumë fusha dhe ngjarje kombëtare dhe ndërkombëtare.

Nesti Baba është një njohës shumë i mirë i historisë së fotografisë dhe një mjeshtër i laboratorit dhe i stampimit në dhomën e errët.

Disa prej punimeve të fotografit Baba u ekspozuan sot në hapësirën e COD, me pjesëmarrjen e miqve, kolegëve dhe familjarëve, por edhe emrave të njohur në fushën e fotografisë.

Drejtoresha e ATSH, Armela Krasniqi në fjalën e hapjes tha se kjo ekspozitë është produkt i talentit dhe i punës së tij.

“Të gjithë tentojmë të lëmë gjurmë, por jo të gjithë e arrijmë. Mund të them që Nesti ia ka dalë të lërë gjurmë, jo vetëm në ATSH”, u shpreh Krasniqi.

Leon Çika, një tjetër emër i njohur i fotografisë, ish-punonjës i ATSH-së u shpreh se “më vjen mirë që sot jemi mbledhur për t’i uruar Nestit një jetë të gjatë, por edhe një krijimtari të suksesshme me daljen në pension pas një pune kaq të gjatë si punonjës i ATSH-së. Por mbi të gjitha më vjen mirë që kjo gjë bëhet për herë të parë në historinë e ATSH. Me këtë rast Nesti bëhet si simbol i përfaqësuesve të shumë brezave fotografësh të ATSH”.

Ai tha se laboratori i fotografisë i dhuroi motivin e vërtetë të jetës së Nestit, siç ai e thotë dhe vetë.

Një tjetër ish-punonjës i ATSH-së, Petrit Kumi e përshëndeti këtë ngjarje kaq të veçantë, ndërsa vlerësoi punën e Nesti Babës në ATSH. Ai falënderoi drejtuesen e ATSH për organizimin e këtij aktiviteti që i bëhet për herë të parë një punonjësi të ATSH-së.

“Asnjë nga ne nuk ka gëzuar një veprimtari të tillë që i organizohet Nestit, një dhuratë e veçantë me rastin e  daljes në pension”, u shpreh ai.

Nëpërmjet duarve të tij kanë dalë qindra ekspozita të përdorura nga të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe që mbajnë për autor Nesti Babën.

Në ekspozitën e hapur në COD janë të publikuara një pjesë e fotove të tij bardh e zi, portrete, por edhe fotografi nga natyra e bukur shqiptare.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për rreth dy javë. /a.gegvataj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.