LUKSEMBURG – BE kërkon rifillimin e procesit politik pas sulmeve në Siri

242

LUKSEMBURG, 16 prill /ATSH-AFP/ – Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian, të cilët u mblodhën sot në Luksemburg, kanë mbështetur të gjitha përpjekjet për të penguar Sirinë të përdorë armët kimike dhe kërkuan rifillimin e procesit politik për t’i dhënë fund konfliktit, pas sulmeve të SHBA-së, Francës dhe Britanisë së Madhe.

“Këshilli theksoi se sulmet ajrore janë kryer në kuadër të masave specifike të marra me qëllimin e vetëm për të penguar regjimin sirian të përdorë sërish armë dhe substanca kimike për të vrarë sirianët”, sipas përfundimeve të takimit.

“Këshilli mbështet të gjitha përpjekjet destinuar për të parandaluar përdorimin e armëve kimike”, nënvizoi ai.

Kreu i diplomacisë franceze, Jean-Yves le Drian përshëndeti këto përfundime.

“BE dhe shtetet anëtare na kanë mbështetur në këtë vullnet për të parandaluar dhe penguar çdo përdorim të armëve kimike. Be-ja është e bashkuar”, konfirmoi ai, në përfundim të takimit.

Për kreun e diplomacisë të Luksemburgut, Jean Asselborn, sulmet perëndimore të së shtunës në Siri ishin një operacion unik.

“Qëllimi i këtyre sulmeve ishte të tregonte se ekziston një linjë e kuqe që nuk duhet kapërcyer”, nënvizoi homologu belg, Didier Reynders./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.