Hapja e negociatave, Basha kërkon mbështetjen e Gjermanisë

124

TIRANË, 16 prill /ATSH/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i kërkoi qeverisë dhe parlamentit gjerman të mbështesin hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në ditën e parë të vizitës në Berlin, Basha zhvilloi në Bundestag takime me ekspertë të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë nga zyra e Kancelares Merkel dhe nga grupi i CDU/CSU në parlamentin gjerman.

“Kemi kërkuar mbështetjen e grupit CDU/CSU për hapjen e negociatave, si një akt që do të mbështesë Shqipërinë në një ëndërr që e ndajnë të gjithë shqiptarët, të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian, por edhe si një përpjekje të shtuar për të plotësuar kriteret e paplotësuara në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformës në drejtësi, etj.” – tha Basha.

Gjatë diskutimit në Bundestag, Basha theksoi se përmes hapjes së negociatave, opozita ka më shumë mundësi në fuqizimin e betejës së saj për një Shqipëri të çliruar nga padrejtësia, të çliruar nga përqendrimi i pushtetit në një dorë të vetme dhe të çliruar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Gjatë qëndrimit në Berlin, Kryetari i Partisë Demokratike do të takohet me kryetarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Komisionit të Çështjeve Europiane të Bundestagut. Më pas ai është i ftuar në një seancë të posaçme dëgjimore nga Komisioni i Politikës së Jashtme dhe ai Çështjeve Europiane të Bundestagut. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.