Gjiknuri: Paga më të larta për minatorët. Reagon LSI

78

TIRANË, 16 prill /ATSH/ – Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë ka një draft të paraqitur nga grupet e sindikatave për statusin e minatorit, mbi të cilin ende po punohet.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri u bëri sot apel të gjitha sindikatave të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të nisin negociatat mbi këtë draft.

“Ne kemi një draft deri diku të dakordësuar, ku adresohen ose le të themi, dalin në pah disa elementë kryesorë të kërkesave tuaja. Do të udhëzoj që grupi i punës të takohet përsëri me të gjithë përfaqësuesit e sindikatave për të diskutuar këtë draft të fundit, ku ka disa kërkesa”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, disa kërkesa kanë efekte financiare dhe këtë nuk duhet ta fshehim, ndërsa theksoi se kërkesa e minatorëve për pagën minimale mund të realizohet.

Kreu i MIE-t tha se në kompanitë e minierave kanë nisur të bëhen pagesat për minatorët me paga më të larta.

“Minatorët nuk kanë paga të ulëta, të papërfillshme. Kanë filluar të paguhen më mirë. Jam dakord që duke vendosur edhe një kufi ligjor, kjo mund të bëhet më e trysnueshme, më e kontrollueshme nga shteti nëpërmjet Inspektoratit të Punës, apo institucioneve të tjera fiskale dhe mendoj që këtu mund të gjejmë një dakordësi”, siguroi Gjiknuri.

Gjatë mandatit të parë, theksoi ai, realizuam uljen e moshës së pensionit, që edhe kjo është një arritje me kosto financiare për shtetin.

Gjiknuri më tej shtoi se së bashku me ministrin e Financave do të studiohen mundësitë për realizimin e një pjesë të kërkesave tuaja.

LSI: Minatorët do protestojnë deri në miratimin e statusit 

“Minatorët do të protestojnë deri në miratimin e statusit të minatorit”, deklaroi deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu.

“6 minatorë janë vrarë në 6 muajt e fundit në galeritë e Bulqizës. Këto fatkeqësi bëhen akoma dhe më të rënda kur lënë pas familje pa asnjë mbështetje financiare, pa asnjë të ardhme, pa asnjë shpresë”, tha ai.

Sipas deputetit të LSI-së, statusi i minatorit u vjen në ndihmë duke u lehtësuar vështirësitë.

“Situatën e tyre mund t’a lehtësonte vetëm statusi i minatorit duke iu siguruar një minimum jetik këtyre njerëzve të punës më të vështirë dhe më të rrezikshme për jetën, që kanë dhënë kaq shumë për ekonominë e këtij vendi”, tha Spahia.

Spahia theksoi se “minatorët i pamë dhe do të vazhdojmë t’i shohim në protesta masive përpara kryeministrisë, deri në miratimin e statusit”.

/a.gjonaj/ /i.v/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.