Të “Pastrojmë Tokën që duam”, e papranueshme situata në lumin Buna

TIRANE, 15 Prill /ATSH/- Një ditë para fillimit të “Javës së Tokës”, ministri Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi së bashku me të rinjtë aktivistë të Ecovolis dhe Ekomendje pastruan skajin më verior të detit Adriatik. Në grykëderdhjen e lumit Buna, në fillim të plazhit të Velipojës bashkë me ujërat vijnë edhe mbetjet që shpërndahen më pas në rërë.

Klosi apeloi qytetarët dhe bizneset që të përfshihen në “Javën e Tokës”. Kreu i Turizmit dhe Mjedisit theksoi se aksioni do të vijojë edhe pas datës 22 prill përgjatë gjithë sezonit turistik.

Të gjitha institucionet janë angazhuar në operacionin e pastrimit, por përfshirja e të gjithë shoqërisë sidomos në 22 prill, do të jetë vendimtare për një mjedis më të pastër, tha ai.

Klosi theksoi se plazhi i mbushur me plehra është në kontrast të fortë me pjesën tjetër në Malin e Zi, ku mjedisi dhe turizmi janë të zhvilluar së bashku në formën më të mirë. Kjo diferencë është e papranueshme për ministrin Klosi i cili shtoi se sezoni i bukur turistik është i papërputhshëm me këtë situatë që ka bregdeti ynë.

Përfaqësuesi i Ekomendjes, Mirsad Basha tha se bashkia e Shkodrës përveç buxhetit ka përfituar 600 milionë lekë të ardhura nga turizmi gjatë vitit 2017 po nuk ka bërë asnjë investim për të zhvilluar këtë zonë dhe për të ruajtur mjedisin.

Ndërsa aktivisti i Ecovolis, Ened Mato theksoi se toka dhe mjedisi është trashëgimi që u duhet lënë edhe brezave të rinj. Mato iu bashkua apelit të ministrit Klosi duhet ftuar të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e pastrimit të tokës.

Java e Tokës fillon më 16 prill dhe kulmon më 22 prill, Ditën Ndërkombëtare të Tokës, ditë kur prej vitit 1970, shtete në mbarë botën përfshihen në aktivitete të ndryshme në dobi të mjedisit. Shqipëria këtë vit nëpërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit organizon Javën e Tokës me një aksion të detajuar dhe mirëorganizuar në mbarë vendin të fokusuar në bregdet dhe shtretërit e lumenjve, si zona ku janë depozituar ndër vite mbetje urbane, por edhe si zona kyçe të sezonit turistik. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.