SHBA – Vendet perëndimore paraqesin në OKB projekt-rezolutë për Sirinë

UASHINGTON, 15 prill /ATSH-AFP/ – Franca, SHBA-ja dhe Britania e Madhe u paraqitën të shtunën 12 partnerëve të tyre të Këshillit të Sigurimit një projekt-rezolutë për Sirinë lidhur me aspekte humanitare dhe politike, si dhe sulmet me armë kimike, ndërsa bën thirrje për krijimin e një mekanizmi të ri hetimor për përdorimin e armëve kimike, sipas diplomatëve.

Negociatat në lidhje me këtë tekst, të përpiluar nga ana e Francës, pritet të nisin ditën e hënë. Nuk është paracaktuar asnjë datë për votimin e kësaj projekt-rezolute, ndërsa Parisi kërkon të japë kohën e nevojshme për një ”negociim të vërtetë”, sipas një burimi diplomatik.

Kjo është hera e parë që një tekst bën bashkë aspektet kimike, humanitare dhe politike të konfliktit të nisur prej më shumë se shtatë vitesh, që i është propozuar Këshillit të Sigurimit.

Teksti i siguruar nga media dënon në format më të ashpra çdo përdorim të armëve kimike në Siri, kryesisht sulmin e 7 prillit në Duma. Ai parashikon të krijojë një mekanizëm të pavarur hetimor bazuar në parimet e paanësisë dhe profesionalizmit./
/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.