Kredia konsumatore u rrit me 6 % në dy muajt e parë të vitit

TIRANË, 15 Prill /ATSH/- Sistemi bankar në vend ka dhënë në mbështetje të konsumit nga familjet, vetëm gjatë dy muajve të parë të vitit rreth 3.6 miliardë lekë kredi të reja, ose 6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, duke llogaritur edhe overdraftet e reja të hapura në dy muajt e parë të vitit, shuma në dispozicion të konsumit të familjeve shënoi rreth 4.2 miliardë lekë.

Politika monetare stimuluese ka favorizuar uljen e normave të interesit në vlera që kanë prekur nivelin më të ulët historik, duke dhënë impakt pozitiv në rritjen e kredisë në lekë.

Në shkurt të këtij viti interesi mesatar i kredive të reja konsumatore në lekë ishte më pak se 8%. e.xh//m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.