“Junior Ranger”, programi që po shtrihet në të gjitha Zonat e Mbrojtura

139

TIRANË, 15 Prill / ATSH / – Administrata e Zonave të Mbrojtura të Gjirokastrës, krahas aktiviteteve të saj të përditshme në ruajtjen dhe menaxhimin e Parkut Kombëtar “Bredhi i Hotovës -Dangelli”, kryen aktivitete dhe me brezin e ri, nxënës të shkollave të qarkut Gjirokastër.

Së fundmi ishte aktiviteti me nxënësit e Gjimnazit “Sami Frashëri”, Përmet të cilët janë përzgjedhur pjesë e programit “Junior Ranger”.

Si fillim, instruktorët i njohën nxënësit  me resurset natyrore të Parkut Kombëtar “Bredhi i Hotoves -Dangelli”. Vizita filloi me prezantimin e temës  “Ekosistemet” e cila u zhvillua ne Godinën Pritëse të Vizitorëve në qendër të parkut.

Më pas nxënësit u njohën me detyrat dhe rëndësinë e të qënurit “Ranger” dhe më pas me pajisjet e një “Rangersi” si dylbi, GAS, hartën e PK, kamera kurth etj.

Gjatë vizitës në park, nxënësit hasën gjurmë kafshësh të ndryshme dhe u vunë në provë që ti identifikonin ato.

Me mbështetje të projektit NaturAL, vazhdon puna për të përgatitur brezin e parë të “Junior Rangers” në AdZM Gjirokastër.

Programi do të zgjasë deri në 31 korrik dhe në fund pjesëmarrësit përveç eksperiencës së fituar do të marrin dhe certifikata vlerësimi./n.l//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.