Politika monetare e BSH-së mbështet rritjen ekonomike

TIRANË, 13 prill /ATSH/- Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të marrë të gjitha masat e nevojshme, duke dhënë kontributin e saj në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe duke garantuar stabilitetin makroekonomik të vendit.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Konferencën e 7-të vjetore të Kërkimeve, të organizuar nga Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë, me temë “Rreth një dekadë pas krizës: drejt një cikli të ri global dhe normalizimit të politikës monetare”, në Ohër, Maqedoni.

I ftuar në panelin e guvernatorëve, me temë “Drejt një cikli të ri global dhe normalizimit të politikës monetare”, guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike shqiptare, duke u ndalur te zhvillimet ekonomiko-financiare dhe ndikimet e mundshme të normalizimit të politikës monetare.

Ai shtoi se politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka ulur kostot e financimit të sektorit privat, ka nxitur rritjen e kreditimit në lekë dhe ka ndihmuar në përmirësimin e gjendjes financiare të huamarrësve.

Prioritetet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë janë orientuar më së shumti drejt identifikimit të masave për nxitjen e kreditimit, vazhdimin e planit të masave për reduktimin e kredive me probleme dhe forcimin e stabilitetit financiar.

Një tjetër çështje e trajtuar nga Guvernatori, ishte dhe rëndësia e kombinimit të duhur të politikave makroekonomike, ku një rol kyç luan koordinimi i politikës monetare me atë fiskale.

Guvernatori Sejko nënvizoi rëndësinë e reformave të mëtejshme për të përmirësuar modelin e zhvillimit të vendit dhe ambientin e biznesit, si dhe për të ecur përpara në procesin e integrimit.

Në përfundim, guvernatori Sejko u shpreh se e ardhmja politike afatgjatë dhe prosperiteti ekonomik, lidhen ngushtë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ai shtoi se bashkëpunimi dhe kuadri institucional kanë rol kontribuues në procesin e konvergjencës, megjithatë bankat qendrore, si politikëbërëse, duhet të marrin masat e nevojshme për përgatitjen e ekonomisë për procesin e anëtarësimit.

Pjesëmarrës në konferencë ishin guvernatorë dhe përfaqësues të bankave qendrore, zyrtarë të lartë nga institucionet financiare vendase dhe ndërkombëtare, si dhe politikëbërës të ndryshëm.

Fokusi i kësaj konference qëndronte në trajtimin e eksperiencave dhe konkluzioneve të nxjerra nga kriza, si dhe të nevojave të mundshme për ridizenjimin e politikave në adresimin e duhur të një mjedisi në ndryshim. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.