SHBA – Nebenzia: Prioritet shmangia e një konflikti ruso-amerikan për çështjen e Sirisë

NJU JORK, 12 prill /ATSH-AFP/ – Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia theksoi sot se prioritet ishte shmangia e rrezikut të një lufte, në përfundim të një takimi me dyer të mbyllura të 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit kushtuar Sirisë.

I pyetur nëse mund të jetë një luftë mes SHBA-së dhe Rusisë, diplomati rus u përgjigj: “Ne nuk përjashtojmë asnjë mundësi”.

Propozimi suedez për një mision përsa i përket çarmatimit kimik në Siri nuk u diskutua gjatë takimit.

Sipas burimeve diplomatike, ky propozim është hedhur poshtë nga SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe dhe Holanda, sepse nuk kërkon krijimin e një mekanizmi hetimi për sulmet kimike të dyshuara të shtunën në Duma.

“Çështja e takimit të sotëm ishte politika agresive e disa anëtarëve të Këshillit”, deklaroi Nebenzia.

“Kërcënimet janë një shkelje e Kartës së Kombeve të Bashkuara”, shtoi ai duke nënvizuar se një ndërhyrje ushtarake perëndimore do të ishte shumë e rrezikshme sepse ushtarët tanë janë atje.

“Rusia kërkoi që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mblidhet të premten për të diskutuar lidhur me kërcënimin për një veprim ushtarak të ndërmarrë nga SHBA-ja në Siri”, theksuan sot diplomatët./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.