Sezoni turistik, merren masat për evitimin e ujërave të ndotur në plazhin e Sarandës

TIRANË, 12 prill /ATSH/- Në Sarandë nuk do të lejohet më ndotja e detit nga ujërat e ndotura që derdhin disa lokale.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Bledi Klosi gjatë një takimi me përfaqësues të shoqatës lokale turistike “Saranda Tourism Industry “ (STY), i bëri apel subjekteve të hotelerisë dhe  shërbimeve të tjera turistike, se nuk do të tolerohet më, asnjë dëmtim i detit nga ujërat e zeza apo nga mbushjet me inerte për përfitim plazhesh.

Sipas Klosit, këto veprime tani kanë një emër dhe quhen krime mjedisore e ndiqen penalisht.

Kreu i Mjedisit dhe Turizmit, ka shprehur qëndrimin e qeverisë në qytetin bregdetar lidhur edhe me guroret. “Asnjë leje nuk do të jepet më për këto gurore”, tha ministri.

Me interes në takimin që komuniteti i biznesit turistik në jug të vendit, zhvilloi me ministrin Klosi ishte edhe çështja e ndotjes akustike nga muzika e lartë.

Biznesi turistik në Sarandë artikuloi nevojën për rregulla të forta në përdorimin e muzikës së lartë në lokale, bar-restorante e disko.

Nuk do të lejojmë që Saranda të jetë një disko gjigante, u shpreh Klosi i cili ka siguruar se edhe punimet aktuale në rrugën hyrëse të qytetit turistik dhe ato në shkallaret që lidhin dy rrugët kryesore paralele me detin, do të përfundojnë para sezonit turistik. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.