Kosovë- Rreth 136 mijë euro, për projektin “Shtigjet e ecjes” në Rahovec

PRISHTINË, 12 Prill/ATSH/.- Një fond rreth 136 mijë euro do të financohet nga qeveria kosovare dhe komuna e Rahovecit për projektin “Shtigjet e ecjes”.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi dhe ministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal Rasim Demiri, nënshkruan sot marrëveshjen e mirëkuptimit për mbështetjen e këtij projekti.

Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar, MZHR-ja për këtë vit do të përkrahë financiarisht realizimin e këtij projekti “Shtigjet e ecjes” në shumën prej 125.000 euro, ndërsa komuna e Rahovecit, nga buxheti i saj i vitit 2018 do të japë 10.500 euro, ndërsa vlera totale është 135.5 mijë euro.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi theksoi se ” do të bëhet realitet premtimi im publik për t’u ngjitur me shkallë deri në pikën historike “Maja e Shkodranit”. Jam i sigurt se në këtë zonë pritet të ketë një zhvillim më të madh ekonomik, në veçanti agroturizmi dhe turizmi kulturor”.

Latifi falënderoi bashkëpunëtorët e tij për përgatitjen e mirë të projektit, komunën e Malishevës, e cila ka pranuar që Rahoveci të jetë komunë drejtuese në projekt, si dhe MZHR-në./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.