Kosova, përparime në rrugën drejt integrimit europian

PRISHTINË, 12 Prill/ATSH/.- Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Europian nuk ka dilema, por është mjaft e qartë dhe institucionet tona po bëjnë punë të mirë në përmbushjen e kritereve që kërkohen, sidomos përmes reformave në shumë sektorë.

Kështu theksoi ministrja e Integrimit Europian të Kosovës, Dhurata Hoxha, në një diskutim në Qendrën për Marrëdhënie Trans-Atlantike, pjesë e Universitetit “Johns Hopkins”, në SHBA, ku u ftua nga Daniel Server, ekspert amerikan për Ballkanin.

“Publikimi i Strategjisë së BE-së për zgjerim, ka shënuar një hap të ri në rrugën e integrimit të Kosovës dhe institucionet tona janë të angazhuara që të shfrytëzojnë këtë moment dhe të përshpejtojnë rrugën drejt integrimit”, nënvizoi Hoxha.

Ajo theksoi rëndësinë e procesit të liberalizimit të vizave, hap i cili do t’i afrojë më shumë qytetarët e Kosovës me Bashkimin Europian.

Pjesëmarrës në këtë diskutim ishin kryesisht diplomatë, ekspertë e njohës të çështjeve të Ballkanit, të cilët parashtruan pyetje për ministren Hoxha rreth procesit të integrimit të Kosovës dhe punës së institucioneve në këtë drejtim./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.