“Forca e ligjit”, goditen disa grupe kriminale

TIRANË, 12 prill /ATSH/- Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” janë skeduar disa grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, që vepronin në territorin e Shqipërisë dhe kishin shtrirje edhe në vendet e tjera.

Gjatë periudhës nëntor 2017- mars 2018 janë goditur disa prej këtyre grupeve kriminale, si dhe ka nisur hetimi penal lidhur me asetet e paligjshme të disa prej tyre.

Task Forca Speciale nën drejtimin e Prokurorisë është përfshirë aktivisht në hetime të mëtejshme për lidhjet dhe të ardhurat e tyre të paligjshme.

Më poshtë operacionet kryesore të ndërmarra në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” 

“BALERINA” – Shkodër, nëntor 2017: U godit një grup kriminal prej 7 anëtarësh, të përfshirë në shfrytëzim prostitucioni. Ky operacion u finalizua me sukses përmes aplikimit të metodave speciale të hetimit. Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan ambienti trekatësh në të cilin realizohej veprimtaria kriminale, 2 automjete, një armë zjarri, objekte luksi, dhe një sasi parash të fituara nga ky aktivitet kriminal në prerje të ndryshme lekë, euro, dollarë etj.

“GRAND”– Fier, nëntor 2017: “Forca e Ligjit” goditi një grup kriminal të përfshirë në fushën e narkotikëve, vrasjeve dhe rrëmbimeve. Gjatë arrestimit u sekuestruan armë dhe drogë. Veprimtaria e grupit zhvillohej brenda dhe jashtë vendit, ndërsa vazhdojnë hetimet për asetet financiare të anëtarëve të grupit.

“KOKAINA” – Shkodër, shkurt 2018: U godit një grup kriminal aktiv në trafikimin e drogave. 7 anëtarë të përfshirë në trafikimin e kokainës dhe heroinës u arrestuan, ndërsa një u shpall në kërkim. Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan: 2 kilogramë e 237.6 gramë kokainë, 3 automjete të tipit Audi Q5, Ford dhe BMW, një sasi parash në valutë të ndryshme, si dhe u vendos nën sekuestro lokali në ambientet e të cilit zhvillohej ky aktivitet kriminal. Vijojnë hetimet financiare ndaj tyre.

“DIPLOMA” – Fier, mars 2018: U godit grupi kriminal me 16 anëtarë në disa qytete, në fushën e falsifikimit të monedhave, falsifikimit të dokumenteve shkollorë, dokumenteve të gjendjes civile, të pasaportave, dokumenteve të emigrimit dhe të qëndrimit në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë etj. U arrestuan 8 pjesëtarë të grupit kriminal nga qytete të ndryshme të vendit, 6 po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Falsifikimet kryheshin kundrejt pagesave që varionin nga 600 euro deri 12,000 paund. Për të gjithë shtetasit e mësipërm ka filluar hetimi pasuror në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.

“LEZHA” – Lezhë, shkurt 2018: U godit një grup kriminal aktiv brenda dhe jashtë vendit në fushën e narkotikëve dhe prostitucionit. Dy prej anëtarëve të grupit kriminal janë arrestuar nga autoritetet italiane, si drejtues dhe pjesëmarrës në grupe kriminale, të cilat trafikonin drogë drejt Italisë nga Amerika dhe Holanda. U sekuestruan një sërë pasurish me vlerë totale rreth 1.4 milionë euro.

“BALILI” – Sarandë, dhjetor 2017: Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë, sekuestruan hotelin luksoz “Santa Quaranta” në Sarandë, një sipërfaqe toke prej 28 690 m², 36 apartamente banimi, si dhe një njësi shërbimi me sipërfaqe 2 178 m². Vlera totale e pasurisë së vënë nën sekuestro llogaritet të jetë rreth 6.7 milionë euro.

“LAST SNOW” – Durrës, shkurt 2018: Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit Doganor, pas një pune të mirëorganizuar dhe të koordinuar, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Last Snow”. Gjatë këtij operacioni, u sekuestruan 613 kg e 350 gram kokainë me vlerë tregu 180 milionë euro. U arrestuan 2 persona dhe 1 u shpall në kërkim. Të tjerë persona dhe asetet e tyre po hetohen nga Task Forca Speciale.

“ONE IF – BY LAND”, Tiranë, 17 mars 2018: Një operacion i realizuar nga Policia e Shtetit në koordinim me SHBA-në, Kanadanë, SELEC, EUROPOL, INTERPOL dhe autoritetet e Policisë së Kosovës, Spanjës, Francës dhe Italisë, i cili përfundoi me arrestimin e 39 personave të përfshirë në trafikimin e migrantëve. 12 të tjerë janë shpallur në kërkim. Të 51 personat, duke përfshirë edhe 4 punonjës të policisë kufitare, ishin të organizuar në 7 grupe kriminale, të cilët operonin në Shqipëri, Bullgari, Spanjë, Francë, Republikën Domenikane, Itali, Mbretëri e Bashkuar, Irlandë, SHBA dhe Kanada duke trafikuar rreth 110 shtetas shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanada, kundrejt një pagese, e cila varionte nga 7 000 paund në 30 000 dollarë amerikanë.

“Kontrabanda 2018” – Tiranë, 5 prill 2018 – Në kuadër të operacionit “Kontrabanda 2018”, Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në D.V.P. Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Forcën e Posaçme për Operacione Speciale, goditën një grup të strukturuar kriminal në fushën e kontrabandës me mallra. Në kuadër të këtij operacioni u ndaluan 17 shtetas në kryeqytet dhe 5 të tjerë u shpallën në kërkim, mes tyre të proceduar edhe më parë. Grupi hetohej prej disa muajsh me metoda speciale. Çdonjëri prej të ndaluarve kishte funksione dhe role të caktuara në këtë veprimtari si financues, transportues, tregtues apo magazinues malli. Gjatë kontrollit në njësi tregtare, dyqane, lokale, magazina, banesa, kioska, policia sekuestroi 2.7 tonë kafe e dyshuar kontrabandë, 2 automjete, 105,000 paketa të markave të ndryshme pa pulla fiskale dhe një sasi parash.

/m.m//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.