Skema e TVSH-së mbi biznesin e vogël nuk rrit as barrën tatimore, as çmimet

TIRANË, 11 prill /ATSH/- Drejtoresha e Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj, Enkelejda Pipa, shpjegon shumë konkretisht pse shtrirja e skemës së TVSH-së mbi biznesin e vogël me xhiro më të lartë se 2 milionë lekë, nuk rrit as barrën tatimore te bizneset e vogla dhe as çmimet.

Kjo është një masë e domosdoshme për t’i dhënë fund lojës së të mëdhenjve që shfaqen si të vegjël dhe shfrytëzimit të të vegjëlve nga të mëdhenjtë për të mashtruar shtetin dhe konsumatorin.

Në një intervistë të dhënë pasditen e së mërkurës në ERTV, Pipa theksoi se futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së do të thotë formalizim i tregut.

“Aplikimi i skemës do të thotë që biznesi i vogël duhet thjeshtë të marrë fatura tatimore për të gjitha blerjet që bën. Nëse deri më sot biznesi i vogël nuk e ka marrë këtë faturë, pasi nuk ka pasur interes, sepse nëse e paguante ose jo TVSH-në për blerjet që bënte, ai nuk e zbriste këtë TVSH-ë, sot më shumë se kurrë ka interes që të marrë faturën tatimore, për të formalizuar blerjet që bën, por edhe sepse kjo faturë, do t’i japë mundësi që të zbresë TVSH-në, që ai e paguan në blerjet e tij,” shprehet Pipa.

Madje kjo TVSH, thekson ajo, që ai nuk e zbriste më parë, ka qënë barrë për biznesin e vogël. Pra ka qënë kosto që i shtohesh vlerës së mallit edhe pse biznesi e paguan TVSH-në në blerje, ai nuk e zbriste dot.

“Skema e TVSH-së do t’i japë mundësinë të zbresë TVSH-në që e paguan në blerje. Por për këtë duhet patjetër që biznesi i vogël të ketë një faturë tatimore”, thotë Pipa.

Por si kryhet formalizimi i tregut përmes skemës së TVSH?

Pipa shpjegon se, ne rast se deri dje biznesi i vogël nuk kishte interes të merrte faturë tatimore nga biznesi i mesëm dhe ai i madh, kjo gjë e shkëpuste zinxhirin e TVSH-së (TVSH-ë e cila paguhet nga konsumatori). Në këto kushte sot duhet që biznesi i vogël të marrë faturën tatimore nga biznesi i mesëm, thotë ajo.

Për t’a ilustruar se si funksionon skema e TVSH-së dhe efektet 0 të saj në kostot për konsumatorin, Pipa e shpjegon me një shembull konkret.

“Nëse një çokollatë biznesi i vogël e blen me 100 lekë dhe patjetër që e blen me TVSH 20 lekë, kjo do të thotë që në total ai e blen çokollatën me kosto 120 lekë. TVSH-në në blerje, biznesi i vogël deri sot nuk ka pasur mundësi t’a zbresë, çka do të thotë që ai e ka mbajtur barrë ose kosto të tij, por ama ja ka paguar tregtarit të mesëm TVSH-në. Ndërkohë që biznesi i vogël, çokollatën që e blen 100 lekë e shet 120 lekë, plus TVSH 24 lekë, vlera totale e këtij artikulli është 144 lekë. Ky çmim është i njëjtë si te tregtari i pakicës ashtu edhe tek marketi që faturon me TVSH. Ndryshimi është që marketi na jep kuponin tatimor ku e evidenton TVSH-në të cilën ja mban konsumatorit. Pra do të thotë që konsumatori deri më sot ka paguar 144 lekë çka do të thotë që 24 lekë ka qënë TVSH-ja, por kjo TVSH është paguar nga konsumatori, por nuk është mbledhur nga shteti”, shpjegon Pipa.

Nisur nga ky argument Pipa thekson se, skema jo vetëm që do të formalizojë këtë treg, por gjithashtu për tregtarin e pakicës do të thotë, që përmes skemës së TVSH do t’i zbritet TVSH-ja në rastin konkret 20 lekëshi.

“Nuk ka kosto shtesë, madje do t’i zbritet TVSH-ja në deklaratën tatimore biznesit të vogël”, tha ajo.

Pipa vuri theksin në faktin se në skemën e TVSH-së për biznesin e vogël do të futen edhe të gjitha shpenzimet e tjera që kryen ky sektor.

Biznesi ka kosto dhe shpenzime të tjera të cilat i merr me TVSH, si p.sh shpenzimet për ujin, energjinë, karburantin apo kosto të tjera të mirëmbajtjes me natyrë elektrike, apo shpenzime transporti, detergjentë për mirëmbajtjen e njësisë tregtare etj. Biznesi i vogël deri më sot nuk ka pasur interes t’i dokumentojë këto shpenzime me faturë tatimore, me skemën e re të gjitha këto blerje që faturohen nga bizneset e mesëm apo bizneset e mëdha, do të jenë të detyruara t’ja faturojnë biznesit të vogël për çdo shpenzim që bën. Pasi tani do të jetë vetë biznesi i vogël i interesuar të marrë faturë tatimore për të gjitha këto shpenzime, të cilat do t’i llogariten me TVSH të zbritshme duke ulur dhe koston totale të tij./e.caushi/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.