Ahmetaj nga Kukësi: Tarifë të lehtësuar për banorët e qarkut

TIRANë, 11 Prill/ATSH/- Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj është ndalur sot në Kukës, ku gjatë një takimi me banorë të zonës ka folur për tarifën e “Rrugës së Kombit” dhe përfshirjen në skemën e TVSH-së për biznesin e vogël me xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë.

Ministri Ahmetaj i siguroi banorët e këtij qarku ku përfshihen Tropoja, Hasi dhe Kukësi se do të aplikohet një paketë sociale për ta, çka do t’i lehtësojë nga tarifa.

Nga Kukësi ministri informoi se një kompani fasoni ka shprehur interes për të hapur fabrikën e saj në këtë qark dhe se kjo do të bëjë të mundur hapjen e 500 vendeve të reja të punës.

“Sot bëmë një takim me sipërmarrjen e qarkut. I informova për atë që jemi duke bërë me biznesin e vogël. I sqarova se është një procedurë e thjeshtë, nuk ka ngarkesë të re fiskale, apo gjoba për deklarim të gabuar deri në fund të vitit 2018″, u shpreh ministri.

Ahmetaj theksoi se i ka kërkuar Administratës Tatimore që të informonte mbi procedurën 64 bizneset e vogla të këtij qarku që për herë të parë bëhen pjesë e skemës së deklarimit të TVSH-së.

Duke u ndalur në investimet në këtë qark, ministri veçoi atë për hapjen e aeroportit të Kukësit, për të cilin tha se do të jetë një ndryshim shumë i madh ekonomik e social.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.