Kosova 10 vjet më parë vendosi themelet e konsolidimit si shtet

382

PRISHTINË, 9 Prill/ATSH/.- Kryeministri Ramush Haradinaj uroi sot qytetarët kosovarë me rastin e 10-vjetorit të hartimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të cilën e cilësoi ndër datat më të rëndësishme të kalendarit shtetëror pas çlirimit të Kosovës dhe shpalljes së Pavarësisë.

“Më 9 Prill të vitit 2008, Kosova vendosi themelet e saj të konsolidimit si shtet. Një dekadë më parë, përmes këtij dokumenti, u vulos Kosova jonë si vend i pavarur, me qytetarë të lirë me të drejta të barabarta për secilin”, thekson Haradinaj.

Kreu i qeverisë kosovare u shpreh se “përvjetori i këtij viti e gjen Kosovën më të sigurtë se kurrë, për rrugën tonë euro-atlantike dhe miqësinë e përhershme me SHBA-të”.

Thaçi: Kushtetuta pasqyron përpjekjet shekullore për liri

“Kushtetuta e Kosovës pasqyron përpjekjet shekullore për liri, barazi dhe drejtësi”, theksoi sot Presidenti Hashim Thaçi.

Me rastin e 10 vjetorit të hartimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Thaçi në një postim në Facebook, shprehet se “Kushtetuta e Republikës së Kosovës sot shënon dekadën e parë. Si udhërrëfyes për krijimin dhe forcimin e shtetit, ajo dëshmon vendosmërinë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët në paqe të qëndrueshme”.

“Asnjëherë nuk do të ndalojmë së punuari për të forcuar shtetin, duke respektuar të drejtat e liritë e çdo qytetari dhe duke garantuar barazinë e tyre para ligjit”, shton Thaçi.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.